POLITIKË /

“KAYO” marrëveshje për prodhimin e anijeve në Pashaliman, Rama: Do eksportojmë dhe për vendet aleate! Ministri Nufi: Shqipëria, baza e re evropiane

Kreu i qeverisë tha se dy anijet e para që do prodhohen do i kalojnë Shqipërisë për rritjen e flotës detare.

Shkruar nga Versus
“KAYO” marrëveshje për prodhimin e anijeve në
Edi Rama/ Ermal Nufi

Një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi është nënshkruar sot, duke shënuar një hap të ri strategjik për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes.

Shoqëria “Kayo” sh.a ka firmosur partneritet me kompaninë italiane Fincantieri, një nga ndërtuesit më të mëdhenj të anijeve tregtare dhe ushtarake në Europë. Marrëveshja hap rrugën për prodhimin në Shqipëri të mjeteve lundruese, si për nevojat e vendit ashtu edhe për eksport.

Projekti parashikon ngritjen e një kantieri të ri detar në Pashaliman, ku pritet të punësohen rreth 400 persona. Ky investim konsiderohet një gur themeli për zhvillimin industrial dhe teknologjik të vendit, duke krijuar mundësi të reja punësimi për të rinjtë.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe drejtues të lartë të industrisë, përfshirë presidentin e Fincantieri-t, Pierroberto Folgiero.

“KAYO” marrëveshje për prodhimin e anijeve në
Ermal Nufi

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi se marrëveshja sjell përfitime të shumta strategjike, duke e kthyer Shqipërinë në një bazë të re europiane për prodhimin e anijeve të vogla dhe të mesme.

Sipas tij, ky bashkëpunim rrit kapacitetet prodhuese në vend dhe e pozicionon “Kayo”-n si një partner të besueshëm në tregun ndërkombëtar, ku mbi 90% e klientëve pritet të jenë ndërkombëtarë.

“Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike që arrihen. Shqipëria bëhet një bazë e re europiane e “Fincantieri- t” për anijet e vogla dhe të mesme.  Fincanteri zgjeron kapacitetin prodhues në Shqipëri dhe “Kayo” pozicionohet si një partner i besueshëm industrial me një arkitekturë ndërkombëtare. Modeli i biznesit është që mbi 90% e klientëve janë ndërkombëtarë, klientë ekzistues të “Fincantier-it” – u shpreh Ministri Nufi.

“KAYO” marrëveshje për prodhimin e anijeve në
Edi Rama

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se kjo marrëveshje është mjaft e dobishme për sigurinë dhe për industrinë shqiptare pasi të rinjtë do të mund të marrin formësim nga ekselenca italiane.

“Kjo marrëveshje kërkon të përcaktojë një vullnet dhe një vizion për të shoqëruar këtë ndryshim me diçka të re të veçantë e cila sigurisht do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare këtu në territorin tonë dhe do të shërbejë për inovacionin. Nga ana tjetër kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë e shkollës industriale të Vlorës të cilët do të jenë të parët që do kontaktohen të marrin pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur në një të ardhme shumë të afërt. Do të jenë të shoqëruar në formimin e tyre nga profesionistë dhe do të arsimohen si në Itali ku kantieri ka bazën e saj, por edhe në Shqipëri në Pashaliman”- tha Rama.

Duke nënvizuar faktin se dy anijet e para që do të prodhohen do të jenë për Shqipërinë, Rama tha se në vazhdim do të vijohet edhe me eksportin e këtyre anijeve drejt vendeve aleate të NATO-s.

“Dy anijet e para do të ndërtohen për forcat tona të armatosura dhe do çojnë në 7 numrin e mjeteve tona. Ky është një numër optimal sa i përket peshës dhe përgjegjësisë së Shqipërisë në Mesdhe. Prodhimi do vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije ku sigurisht është e qartë se teknologjia e re do të zbatohet. Është diçka fantastike që kemi arritur në këtë pikë. Kjo marrëveshje është një ëndërr për Shqipërinë dhe forcat e Shqipërisë”- tha kryeministri. /Versus.al

Poll