
Ashtu siç tashmë është kthyer në traditë në Kosovë, partitë humbëse kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, duke mos hedhur akuza mbi procesin zgjedhor të zhvilluar.
Në një konferencë për shtyp, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pranoi humbjen në zgjedhje dhe tha se merr përgjegjësinë e plotë.
“LDK ka marrë 18.14 përqind të votave, LVV-39.88 për qind, PDK, 21.84 për qind të votave, AAK-Nisma 7.62 përqind të votave, Lista Familja ka marrë 1.5% të votave dhe minoritetet e të tjera 11.02%”, lexoi Abdixhiku mes shifrave të dhëna nga komisionerët e partisë së tij.
Gjithashtu edhe Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar rezultatin, madje zëdhënësi i saj Blerand Stavileci u shpreh i entuziazmuar duke thënë se PDK ka arritur rezultat të madh duke u konfirmuar si partia e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota.
“Sonte jemi në një situatë të pazakontë, kur ne, si parti politike, duhet t’ju tregojmë ju dhe qytetarëve për votën tonë, dhe jo KQZ, siç do të duhej të ishte. Megjithatë, tash jemi para jush për të ndarë një mesazh të qartë: Partia Demokratike e Kosovës ka arritur një rezultat të madh.
PDK është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend, me mbi 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë i PDK-së në shumë vite dhe një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën. Falënderojmë nga zemra secilin qytetar që besoi dhe votoi për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza”, tha ai.
Më herët Kurti shpalli fitoren dhe qindra mbështetës të tij u mblodhën në Prishtinë për të festuar dhe për të dëgjuar fjalimin e fitores edhe pse rezultatet ishin vetëm paraprake. Versus.al







