
Ka përfunduar numërimi i 88% të votave në Kosovë dhe rezulton se partia me më së shumti vota është Lëvizja Vetëvendosje me 41.29%.
Deri më tani janë numëruar 2230 vendvotime nga 2553 në total. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta në zgjedhje duke siguruar deri më tani 21.8% të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 17.7% të votave dhe AAK në koalicion me Nismën vetëm 7.28% të votave të numëruara deri më tani.
Kur ishin numëruar 72% të kutive të votimit, mbështetësit e Vetëvendosjes u mblodhën në shesh para të cilëve ishte i pranishëm edhe Kurti i cili shpalli fitore, ndërsa nuk i kurseu ironitë për partitë e opozitës.
“Këto zgjedhje kanë treguar diçka të vlefshme për politikën dhe historinë, populli i Kosovës e ka mund edhe Serbinë. Kanë bërë marrëveshje me dreqin…Çfarë hajvanash…çfarë hajvanash, ka kalu koha e hajvanatit – e kanë marr vesh sonte…Kur ne e thoshim një zotim, ia shtoshin nja 50 a 100 a 200 perqind”, tha ai.
Gjatë procesit të numërimit nuk u raportuan problematika, përveç atyre teknike për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori masa duke i zgjidhur. Versus.al







