POLITIKË /

“0900, këtë numër kam për ty”/ Ofendoi rëndë Albana Vokshin, PD kërkon përjashtimin e Ballës nga punimet e Kuvendit

Debati në Kuvend mes Taulant Balla dhe deputetes së PD, Albana Vokshi, ka shkaktuar reagime të forta politike. Partia Demokratike e cilëson gjuhën e përdorur nga Balla si fyese dhe diskriminuese, duke kërkuar përjashtimin e tij për 60 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet nga strukturat përkatëse parlamentare.

Shkruar nga Versus

“0900, këtë numër kam për ty”/ Ofendoi

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas gjuhës së përdorur ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi gjatë seancës plenare.

Sipas kërkesës së paraqitur nga deputetët e PD, Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese dhe diskriminuese që, sipas tyre, cenon rëndë dinjitetin njerëzor të deputetes Vokshi. Reagimi erdhi pas deklaratës së Ballës në seancë, ku ai u shpreh: “0900 se këtë numër kam, për ty Albana padyshim”.

Në njoftimin zyrtar, Partia Demokratike thekson se gjuha e përdorur nga Balla përbën shkelje të rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetit, duke kërkuar marrjen e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 60 ditë”.

Sipas PD, deklarata e deputetit socialist përbën një formë të papranueshme komunikimi që nxit diskriminimin mbi baza gjinore dhe dëmton reputacionin e institucionit të Kuvendit. Ata theksojnë se masa e kërkuar synon jo vetëm ndëshkimin e deputetit, por edhe dërgimin e një mesazhi të qartë se çdo formë gjuhe fyese apo ngacmimi ndaj grave në politikë është e papranueshme.

Kërkesa për masë disiplinore është firmosur nga 20 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët ishin të pranishëm në seancën plenare kur ndodhi incidenti.

Njoftimi i PD:

Në datën 05.03.2026, ora 10:00 është zhvilluar seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla është shprehur: “Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pa pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi.”. Kjo gjuhë fyese, ofenduese, seksiste dhe diskriminuese ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe, në kushtet e marrjes së masave nga kryetari i Kuvendit, edhe ndërprerjen e seancës plenare.

Neni 62 i Rregullores ka përcaktuar se: “1. Deputeti gjatë ushtrimit të mandatit respekton rregullat bazë për standardet e sjelljes, të parashikuara në këtë Rregullore dhe në Kodin e Sjelljes së Deputetit. 2. Rregullat e përcaktuara në këtë kre dhe masat disiplinore zbatohen për shkeljen e Rregullores dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetëve.”. Ndërsa, neni 63 i Rregullores ka parashikuar masat disiplinore që zbatohen ndaj deputetit, ndër të cilat, edhe “d) përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.”.

Më tej, neni 65/1 i Rregullores ka detajuar rastet kur jepet masa disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë”, ku, ndër të tjera, janë parashikuar edhe rastet kur: i) deputeti fyen deputetët e tjerë; dhe ii) në rastet e ngacmimit seksual të çfarëdoforme, sipas parashikimeve të nenit 10 të Kodit të Sjelljes së Deputetit. Kërkesa për marrjen e një mase të tillë paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 24 orë nga dita e seancës plenare. Neni 65/2 e Rregullores parashikon procedurën që ndiqet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën për shqyrtimin e kërkesës për marrjen e masës disiplinore.

Rregullorja e Kuvendit ka referuar në mënyrë të përsëritur tek Kodi i Sjelljes së Deputetit, miratuar me vendimin nr. 61/2018 të Kuvendit të Shqipërisë, i cili në nenin 3 ka parashikuar se: “Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, duhet: ë) të jetë model për zgjedhësit dhe të sillet në mënyrë që të nxisë zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes edhe për të rinjtë që përfshihen në politikë;”. Ndërsa, neni 5 i Kodit parashikon: “1. Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, shfaq standardet më të larta të sjelljes së qytetëruar, dinjitoze dhe të etikës parlamentare korrekte.”.

Më tej, në nenin 6 të Kodit parashikohet: “1. Përdorimi në Kuvend i gjuhës së pahijshme, fyese ose kërcënuese, ofendimet dhe sulmet fizike personale janë rreptësisht të ndaluara. 2. Deputeti i ndalohet: a) të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila nxit urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, besimit fetar, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, gjendjes civile, familjare ose martesore, orientimit seksual, identitetit gjinor, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër; b) të shfaqë forma diskriminimi dhe stereotipizimi në komunikimin e përditshëm, në fjalime politke, në veprimtari parlamentare ose jashtëparlamentare ku merr pjesë. 3. Në rast të shkeljeve të parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, ndaj deputetit zbatohen masat disiplinore, sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.”.

Lidhur me rastet e ngacmimit seksual të çfarëdo forme, neni 10 i Kodit të Sjelljes së Deputetit ka sanksionuar: “1. Deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilitdo dhe që konsiderohet e padëshiruar, e papranueshme, e papërshtatshme dhe ofenduese për personin tjetër, si dhe krijon një mjedis pune shqetësues, të paqëndrueshëm, armiqësor dhe frikësues. Për qëllim të këtij neni, sjellja e deputetit përfshin dhe nuk kufizohet në veprime fizike, fjalë, gjeste ose çdo lloj komunikimi virtual.”.

Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Znj. Albana Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë. Gjuha e përdorur nga deputeti Balla nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore, duke dëmtuar rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të deputetëve tek qytetarët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të një gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave. Në këtë kuptim, kjo kërkesë nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e deputetit Balla për fyerjet e tij ndaj deputetes Vokshi, por edhe të përçojë në shoqëri mesazhin se për Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual, përhapje urrejtje mbi baza gjinore është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 62, 63, 65/1 dhe 65/2 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, dhe neneve 3, 5, 6 dhe 10, të Kodit të Sjelljes së Deputetit, kërkojmë marrjen e menjëhershme të masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla.

Kërkesa është firmosur nga 20 deputetë të Grupit Parlamentar të PD, që ishin të pranishëm në seancë kur ndodhi situata e rëndë dhe e paprecedent./Versus.al

Poll