POLITIKË /

"Totalisht të rreme", Gonzato hedh poshtë pretendimet për ndërhyrje në raportin e ODIHR

Gonzato tha se duhen pritur verifikimet e autoriteteve kompetente sa i takon lobimit të PD në SHBA.

Shkruar nga Versus
"Totalisht të rreme", Gonzato hedh poshtë pretendimet
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato ka zhvilluar sot një takim me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi për t’u informuar mbi zhvillimet e procesit. 

Ai tha se lajmi se BE ka ndërhyrë në raportin paraprak të ODIHR-it për zgjedhje duke hequr emra, është totalisht i rremë.

“Lajmi se ne kemi ndërhyrë tek ODIHR-i në raportin e tij është totalisht gënjeshtër. ODIHR-i është i pavarur dhe vepron i pavarur dhe ne as nuk mund të ndërhyjmë në raportet e tyre”, tha Gonzato.

Më tej ambasadori i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si shumë të rëndësishme pasi janë të parat që zhvillohen që pas hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse është hera e parë që bëhen zgjedhje që prej se ne kemi hapur negociatat me Shqipërinë dhe janë thelbësore për demokracinë dhe institucionet. Takova Celibashin për t’u informuar dhe për të parë sesi mund të vazhdojmë të mbështesim KQZ-në. deri tani kanë bërë një punë fantastike”- u shpreh Gonzato.

Sa i takon rrezikut që paratë e pista të financojnë blerjen e votave për parti të caktuara politike, Gonzato tha se nuk preferon të bëjë deklarata para zgjedhjeve dhe se ka besim tek vëzhguesit e ODIHR dhe SPAK.

“Nuk bëj deklarata para zgjedhjeve, ne besojmë tek ODIHR, është një mision i madh i pranishëm në Shqipëri. Siç e dini lufta kundër korrupsionit është në qendër të negociatave, ne kemi gjithashtu besim të madh tek SPAK”- shtoi ambasadori i BE.

Ai gjithashtu nuk pranoi të komentonte mbi lobimin e PD-së në SHBA, duke thënë se duhen pritur përfundimet e organet kompetente. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: