POLITIKË /

11 maji/ Berisha: Hasani kërcënoi vëzhguesit ndërkombëtarë! OSBE/ODIHR mohon akuzat e kreut të PD-së

Shkruar nga Versus
11 maji/ Berisha: Hasani kërcënoi vëzhguesit
Igli Hasani/ Sali Berisha

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, se ka ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë një konference për mediat të mbajtur një ditë më parë, Berisha deklaroi se është informuar se ministri Hasani i ka thirrur në zyrë përfaqësuesit e misionit, pasi më parë u kishte dërguar mesazhe me tone kërcënuese dhe u kishte kërkuar llogari për përmbajtjen e raportit të tyre.

“Në mënyrë konkrete, presion antiligjor, antidemokratik është bërë ndaj ekipit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe unë këto i kam denoncuar në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe publikisht. Dhe në këtë fushatë presioni është i implikuar, vetë personalisht Edi Rama dhe ministri i tij i Jashtëm, Igli Hasani. Unë kam informuar se, ky i fundit ka thirrur në zyrë përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve, pasi ka dërguar mesazhe kërcënuese dhe u ka kërkuar llogari për frazat, se këta janë ai sekt që besojnë gënjeshtrat e tyre. Këta besojnë gënjeshtrat e tyre, këta jetojnë me një realitet që nuk ekziston,”- tha Berisha.

OSBE/ODIHR ka mohuar zyrtarisht çdo pretendim për presion apo kërcënim ndaj misionit të saj të vëzhguesve në Shqipëri.

Në një reagim për Report TV, organizata nënvizon se gjatë gjithë periudhës së pranisë së tyre në vend – si para ashtu edhe pas publikimit të raportit paraprak për zgjedhjet e 11 majit – nuk është konstatuar asnjë përpjekje për frikësim apo ndërhyrje.

OSBE/ODIHR thekson gjithashtu se misioni i tyre udhëhiqet nga parime të pavarësisë, paanshmërisë dhe një metodologjie të standardizuar, të zbatuar njësoj në të gjitha vendet ku kryejnë vëzhgim zgjedhor.

“Faleminderit për emailin tuaj dhe për interesimin ndaj punës së ODIHR-it. Nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet. Është e rëndësishme të kuptohet se puna jonë e vëzhgimit të zgjedhjeve është e paanshme, e pavarur dhe bazohet në një metodologji të zhvilluar ndër vite dhe të përdorur në çdo vend ku vëzhgojmë. Do të doja gjithashtu të theksoja se vëzhgimi ynë i zgjedhjeve nuk është një qëllim në vetvete dhe nuk ka për qëllim të kritikojë shtetet apo qeveritë, por të ndihmojë në përmirësimin e procesit zgjedhor në të mirë të të gjithë qytetarëve. ODIHR tani është duke përgatitur raportin përfundimtar. Ky raport do të përmbledhë vëzhgimin e zgjedhjeve dhe do të përmbajë rekomandime, të cilat do të ishim të kënaqur t’i diskutonim me autoritetet shqiptare, partitë politike dhe shoqërinë civile, për të identifikuar mënyra për të mbështetur reformën zgjedhore dhe zbatimin efektiv të rekomandimeve tona në Shqipëri,”- shkruhet në reagim./Versus.al

Poll