Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shpalljen sekret të shpenzimeve të udhëtimit me charter.
Sipas tij, Rama ka shpenzuar plot 23 milionë euro në 141 udhëtime me çarter për ushime dhe konferenca. Ai tha se ky veprim i Ramës bëhet me qëllim fshehjen e asaj që e konsideroi “vjedhje”.
Pjesë nga fjala e Berishës në konferencë:
Ramaduro vendos të sekretojë shpenzimet e tij. Të shndërrojë në sekret shtetëror shpenzimet, të cilat i bën me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky akt ka precedent në Shqipëri vetëm diktatorin Enver Hoxha. Ky akt ka paralel në botë Kim Jong-unin dhe Maduron e Venezuelës. Ky akt shpall, zyrtarizon, ligjëron vjedhjen, shpërdorimin nga një hajdut- ose hajduti më i madh i këtij kombi në 113 vite. Ky akt i sekretimit të shpenzimeve bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet themelore të vendit. Njeriu që hap shishe Romanee Conti 33 mijë euro në drekat e tij, kërkon tani të sekretojë shpenzimet.
Njeriu që ka shpenzuar në dy vite 23 milionë euro udhëtime me çarter, 141 udhëtime me çarter për pushime, për vakanca, për konferenca, tani kalon në një akt tjetër që nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut dhe Venezuelës. Edi Rama u thotë shqiptarëve: do t’u vjedh dhe ju të mos merrni vesh. Por ky shtet, në vitin 2009, në emër të transparencës, të mbrojtjes të parave të taksapaguesve shqiptarë, ka vendosur shpenzimet e thesarit online.
Dhe kjo ka qenë në kuadrin e një nisme botërore të luftës kundër korrupsionit. Ky sistem i bën të mundur çdo qytetari të kontrollojë çdo qindarkë që shpenzohet nga taksat e tij të nesërmen e shpenzimit. Edi Rama vendos të sekretojë shpenzimet e tij vetëm e vetëm për të mbuluar vjedhjet e veta dhe familjare të taksave të qytetarëve shqiptarë. Ky është një apel dhe një kushtrim për çdo qytetar shqiptar të ngrihen kundër flamurtarit të vjedhjes në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Versus.al







