Për herë të tretë brenda ditës sotme kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetin social “X” me foto nga hapësira publike të zaptuara nga bizneset private. Këtë herë, fotoja është nga Lungomarja e Vlorës ku u ka caktuar bizneseve 48 orë kohë për t’i hequr çadrat, karriget e tavolinat nga trotuaret.
Mes të tjerash, nënvizon se të gjitha këto zaptime të hapësirës publike kanë ndodhur nën sytë e mbyllur të inspektorëve dhe drejtorëve të bashkisë së Vlorës të cilët u dorëhoqën pas kërkesës së tij pak ditë më parë.
“Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta! Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite! Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!”- shkruan kryeministri. Versus.al







