POLITIKË /

“500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë për ne me dy klasë shkollë”/ Mesazhet mes Benet Becit dhe Vis Berberit

Shkruar nga Versus

“500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për ish kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kanë zënë në grackë edhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci për implikim në afera gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH. Gjatë hetimeve për Berberin, prokurorët e SPAK mes të tjerash kanë sekuestruar edhe telefonin e bashkëshortes së tij A. Ruko.

Por ndonëse ishin nisur për të gjetur prova të mëtejshme në ngarkim të Berberit, në telefonin e zonjës Ruko, prokurorët kanë gjetur dhe disa komunikime mes ish kreut të rrugëve dhe ish drejtorit të KESH. Njëri prej tyre, më flagranti lidhet me një tender me vlerë 832 mijë euro të zhvilluar nga KESH për kontraktimin e një studimi për strategjinë e sektorit energjetik. Bashkëshortja e zotit Berberi ishte caktuar kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të tenderit.

Studimi, i cili do të kryhej në bashkëpunim me profesorë të Harvardit duket se kishte para për të ndarë edhe për dy ish zyrtarët, të cilët donin jo pak por mbi 40 për qind të fondit. Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”

Por SMS-ja kompromentuese e Berberit për Becin nuk është prova e vetme. Më vonë ka rezultuar se prokurimi është kryer pikërisht ashtu.

Tenderi

Tenderi me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik” u shpall nga KESH në 13 janar të vitit 2020 me fond limit të paracaktuar prej 69.5 milionë lekësh ose 695 mijë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Bashkë me TVSH-në vlera e fondit limit ishte 834 mijë euro.

Në garë pati vetëm një ofertë, që ishte ajo e kompanisë Consulting & Management Albania SHPK në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari, e cila ofroi ta kryente shërbimin me vlerën 69.35 milionë lekë pa tvsh ose sa 99.8 për qind e fondit limit.

Një ditë pas tenderit, KESH shpalli fituese pikërisht kompaninë e Ervis Myftarit, e cila me sa duket ishte instrumenti që do të ndante paratë sipas formulës 500 mijë për profesorët dhe 330 mijë për ata me dy klasë shkollë.

“500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë

Consulting & Management Albania është një kompani konsulence, e cila merr tendera publikë kryesisht në Albcontrol si dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Kjo kompani nuk kishte asnjë eksperiencë për studime energjetike dhe tenderi i vetëm që ka marrë në KESH është pikërisht ai për Zhvillimin e Strategjisë së Sektorit Energjetik.

Pronari i kësaj kompanie, zoti Myftari aktualisht zotëron dhe 8 kompani të tjera, të cilat janë të gjitha me status të pezulluar.

KLSH kapi korrupsionin me tenderin

Në vitin 2022, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbërritën në zyrat e KESH për të audituar kompaninë. Mes gjetjeve që audituesit konstatuan në KESH ishte dhe ajo e tenderit 834 mijë euro për Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik.

Në raportin e auditimit, inspektorët e KLSH shkruajnë se tenderi ka një sërë parregullsish serioze, pasi së pari nuk ishte detyrë e KESH të bënte strategjinë e sektorit energjetik të vendit dhe së dyti, Shqipëria e kishte sakaq strategjinë e sektorit, e cila ishte kryer nga ministria e Energjisë në bashkëpunim me donatorët. Për më tepër, audituesit e KLSH konstatojnë se studimi i kryer nga kompania CMA dhe profesorët e Harvardit kishte vetëm informacione publike, lehtësisht të aksesueshme.

“500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë

 

Gjetjet e KLSH per tenderin 834 mije euro

“Të gjitha kërkesat e parashtruara nga ana e Grupit të Punës si detyrë për Konsulentin ose janë informacione të cilat kanë qenë lehtësisht të aksesueshme pa qenë nevoja për prokurimin e marrjes së tyre ose kanë qenë të saktësuara në VKM nr. 480 datë 31.07.2018 ‘Për miratimin e strategjisë kombëtare të energjisë për periudhën 2018–2030’,” thuhet në raportin e auditimit.

KLSH e ka klasifikuar procedurën si një punë të sajuar thjesht për të shpenzuar para dhe gjithë shpenzimin si dëm të pastër ekonomik.

“Rezulton se vlera prej 83,220,000 lekë me TVSH përbën përdorim pa efektivitet eficiencë dhe ekonomicitet për fondet e shoqërisë,” thuhet në raportin e KLSH. /Kapital.al

Poll