Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin ndërkombëtar për të ardhmen e Europës të titulluar “Investo në një Europë të Ndërlidhur” ku ishte i pranishëm edhe presidenti francez Emanuel Macron dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner i cili do të ndërtojë një resort turistik në ishulin e Sazanit.
Rama e nisi fjalën e tij duke falenderuar presidentin Macron, për të cilin nuk i kurseu as batutat lidhur me përgatitjen që ka në oratori.
“Jam tejet i kënaqur që gjendem këtu me një udhëheqës të madh dhe mik shumë të shtrenjtë, presidentin e Francës i cili vjen në Tiranë për herë të dytë pas 18 muajsh pas një periudhe 110 vjeçare kur nuk kishte ardhur asnjë president. Kam kënaqësi por jam edhe i tmerruar sepse të flasësh menjëherë përpara Emanuelit nuk është më e mira, sepse ai di si të flaës. Vjen nga një jetë e mëparshme ku i është dashur të merret me investues e kapitale, ndërsa unë vij nga një jetë ku më është dashur të merrem me ngjyra dhe ekspozita”- u shpreh kryeministri.
Ai u shpreh krenar për çfarë ka arritur vendi ynë në këto vite, duke thënë se deri pak vite më parë të mblidhej një samit i tillë në Tiranë, ishte e paimagjinueshme. Versus.al







