
Kreu i qeverisë Edi Rama foli për ligjin e votuar një muaj më parë për mundësinë që investitorët strategjikë të mund të ndërtojnë porte turistike pa garë. Rama tha se ndryshimi i bërë në ligjin e propozuar nga deputetja Zamira Sinaj, lidhet me rastin kur dikush investon për një resort turistik dhe do të bëjë një marinë.
Sipas tij, ndryshimi i jep mundësinë investitorit që të ndërtojë vetë marinën pa hyrë në garë me dikë me të cilin do të nisnin më pas konfliktet.
‘’Ne kemi bërë një ndryshim të vetëm për të hequr mundësinë e një pasoje absurde. Ndryshimi nuk lidhet me garat, fare zero, hiç. Nëse ne duam të japim një koncesion apo duam një partneritet për të ndërtuar një port turistik, bëhet vetëm me garë. Ndryshimi lidhet me rastet kur dikush investon për një resort turistik dhe do të bëjë një marinë. Me ligjin e pandryshuar, për marinën e bërë pranë resortit të tij duhet garë që të vijë një tjetër dhe të nisë një sherr që nuk do të mbarojë kurrë.
Ne na shkaktoi si pasojë për shkak se nuk kishim bërë diferencën mes rasteve kur ndërtohet një port turistik dhe jepet një koncesion dhe rasteve kur vetë investitorët që kanë pronësinë, duan të bëjnë një marinë. Natyrisht si në gjithë planetin duhet ta bëjnë duke paguar detyrimet përkatëse dhe duke e ndërtuar vetë. Shikoni ju këtu ndonjë habit të madhe? Nuk ka asnjë përveç harbimit të atyre që e duan me çdo kusht Shqipërinë të bllokuar’’- tha Rama. Versus.al


