Edi Rama, gjatë fjalës së tij, edhe njëherë tjetër foli me nota pozive për kreun e SPAK, por sipas Kryeministrit, “shpatën” e drejtësisë ia dha Partia Socialiste.
Kryesocialisti nënvizoi se po të mos donin të goditeshin edhe majtas, mjaftonte të mos e bënin reformën në drejtësi, por ai theksoi se ishte i vendosur për barazinë ligjore, që vendi të shkojë në BE.
Rama kujtoi edhe faktin se Altin Dumani është një profesionist i mirë si hetues dhe prokuror i vjetër, por deri para reformës në drejtësi ai dhe kolegët e tij nuk kishin marrë në pyetje apo arrestuar zyrtarë të lartë siç po bëjnë tani me SPAK, përtej të majtës dhe të djathtës.
“Kur ne morëm detyrën, nuk kishin respekt dhe besim, por tani i shihni vetë çfarë transformimi kemi bërë.
Altin Dumani, njeri kurajoz dhe meriton gjithë respektin. Por ai nuk erdhi nga hëna këto 3-4 vjet, prej vitesh punonte prokuror. Asnjë nuk e dinte që ekzistone, si ka mundësi që ky prokuror i ndershëm nuk ka thirrur një person me pushtet politik më parë? Çfarë e ka bërë këtë dallim?"








