Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të zgjatë masën e paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun. Vendimi është marrë më 5 gusht nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, me arsyetimin se qëndrimi në paraburgim mbetet i proporcional dhe i nevojshëm.
Sipas gjyqtares Masselot, për Thaçin ekziston ende rreziku i pengimit të procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), edhe pas mbylljes së çështjes së Prokurorisë për krime lufte. Në vendim thuhet se “veprimet e Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të ndikuar në proces, përfshirë përmes kontakteve me ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe persona nga rrethi i tij politik.”
Gjyqtarja shton se dyshimi ndaj Thaçit për veprat penale mbetet i pandryshuar, duke përmendur edhe përpjekjet për pengim të drejtësisë, për të cilat ish-presidenti u përball me një aktakuzë të dytë në dhjetor 2024.
Ndërkohë, mbrojtja e Thaçit, përfaqësuar nga Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq, nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit. /Versus.al







