Kryeministri Edi Rama ka folur për personat të cilët kanë ndezur zjarre në vend duke vënë në rrezik banesat dhe jetën e qytetarëve duke thënë se policia ka bërë një punë të mirë në kapjen e tyre.
Në kuadër të masave që duhen ndërmarrë për këtë fushë, Rama tha se po punohet në mënyrë që në zonat të cilat digjen nga zjarret, do të ndalohen ndërtimet për 30 vitet e ardhshme, duke theksuar se do të përdoren dronë inteligjentë për ta mbjellë sërish zonën e shkrumbuar nga zjarret.
“Policia ka arritur të arrestojë psikopatë dhe kriminelë që vënë zjarre, besoj shumë që fakti që ky sezon solli kaq shumë përmirësim në këtë aspekt, kemi mundësi të rrisim forcën goditëse të policisë së shtetit duke rritur kapacitetin për të identifikuar personat potencialisht të rrezikshëm. Këta që vënë zjarre kanë karakteristika të veçanta si personalitete. Kemi bërë një ndërhyrje ligjore të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vite. Nëse një territor që hap oreks për të ndërtuar digjet, për 30 vite aty nuk jepet leje ndërtimi. Që ta kenë të qartë të gjithë që djegia nuk të sjell në kushtet që mund të thuash që aty nuk ka pyll dhe mund të ndërtosh. 30 vite do ndalohet ndërtimi dhe ai territor do të mbillet me dronë mbjellës”- u shpreh Rama. Versus.al







