
Gjatë fjalimit të tij në foltoren e radhës përpara Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë dhe strukturave të policisë lidhur me përplasjet e dhunshme në protestën e 17 prillit. Berisha u fokusuar veçanërisht te fati i 11 protestuesve të arrestuar, duke pretenduar se ata po përballen me tortura çnjerëzore brenda komisariateve.
Akuzat për tortura dhe prokurorë "militantë"
Berisha i cilësoi protestuesit e mbetur në burg, si Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo e të tjerë, si "luanë" që po qëndrojnë të pamposhtur përballë dhunës shtazarake. Ai sulmoi drejtësinë, duke i cilësuar prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes si "militantë të verbër partiakë" që po mbajnë njerëzit në qeli pa asnjë provë faktike.
"Ata janë ndërgjegja jonë, janë frymëzimi ynë. Lirimi i tyre urgjent është beteja jonë," deklaroi Berisha, duke renditur emër për emër të gjithë ata që, sipas tij, u dhunuan nga "banditët me uniformë".
"Sulm kimik në zemër të Europës"
Kreu i opozitës përdori tone të ashpra për të përshkruar përdorimin e gazit lotsjellës dhe sprajtëve toksikë, duke i krahasuar pamjet e Tiranës me sulmet e Asadit në Siri apo të Sadam Hyseinit mbi kurdët.
Berisha bëri përgjegjës direkt Edi Ramën dhe drejtuesit e policisë, të cilët i quajti "narkokriminelë" që përdorën helmin ndaj qytetarëve paqësorë nga frika e rrëzimit të regjimit.
Ai denoncoi asfiksimin e deputetëve të opozitës, të cilët sipas tij u sulmuan me "spraj toksik ariu".
Protesta e radhës do të jetë "proporcionale"
Duke bërë paralelizma me protestat në Francë dhe Bruksel, Berisha theksoi se dhuna e ushtruar nga policia shqiptare është e paprecedentë në Europë. Ai paralajmëroi se pas kësaj valence dhune nga shteti, opozita nuk do të qëndrojë më pasive.
"Protesta e radhës do të jetë proporcionale," përfundoi Berisha, duke lënë të kuptohet se reagimi qytetar do t'i përgjigjet të njëjtës gjuhë force që ka përdorur narkoshteti, siç ai e cilëson qeverinë aktuale.

