Kryedemokrati Sali Berisha ka folur sot për zgjedhjet e Tiranës duke bërë me dije se brenda kësaj jave PD do ta ketë gati emrin e kandidatit/es.
Ndërsa i pyetur për kandidatët e përfolur, dlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Hackaj, Berisha i vlerësoi të tre duke i cilësuar si figura me integritet dhe vlera të spikatura qytetare e morale.
“Po diskutojmë me aleatët për modelin më të përshtatshëm: a do jetë një kandidaturë e pastër politike nga PD, një kandidaturë e përbashkët e koalicionit, apo një kandidat i pavarur i mbështetur nga të gjitha partitë opozitare? Kjo është pyetja kyçe, për të cilën po kërkojmë dakordësinë më të gjerë. “Opozita është e vendosur të garojë. Do mbështesim modelin që ka më shumë përkrahje brenda kampit opozitar. Shumë shpejt mund të kemi një emër zyrtar, por ende nuk ka një datë të caktuar. Ajo që mund të them me bindje është se kandidatët tanë janë gati” ka deklaruar Berisha.
Ndërkohë grupi i negociatorëve, Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti vijojnë me takimet me partitë e tjera opozitare për të gjetur një kandidat jo partiak dhe përbashkues në garën për bashkinë e Tiranës. Versus.al







