POLITIKË /

"BE ka burokraci të tepruara", Rama: Armatimi i Europës nuk është zgjidhja për kërcënimet e jashtme

Shkruar nga Versus

"BE ka burokraci të tepruara", Rama: Armatimi i Europës nuk

Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuar në edicionin e 20-të të forumin strategjik të Bledit në Slloveni ku ka folur mbi rolin e shteteve anëtare dhe të ardhmen e Bashkimit Europian.

Teksa theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë anëtare e BE, Rama nënvizoi se tashmë është harmonizuar plotësisht politika e jashtme. Ndërsa në vazhdim foli për sfidat dhe problemet me të cilat haset Europa. Sipas tij, problem kryesor është se BE nuk e ka të qartë drejtimin që do të marrë, ndërsa nënvizoi burokracitë e rregulloreve si pengesë kryesore për të bërë biznes.

“Mendoj se problem kryesor që ka Europa është çfarë drejtimi do të marrë. Do të thellohet në rrugën e saj për t”u shndërruar në shtetet e bashkuara të Europës apo do të shpërbëhet në copa të ndryshme megjithë secilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet. Nuk ka shans se mund të ndahesh nga ky grup i madh dhe pastaj të kesh histori të lavdishme përveçse të bëhesh sateliti i dikujt tjetër.

Europa është makineria më e jashtëzakonshme burokratike që mund të jetë një gjë e mirë, por nga ana tjetër hartimi i tepruar i rregulloreve…e bën Europën më të vështirë për biznesin. Ka një ekuilibër që Europa duhet të gjejë. Gjëja e fundit që sheh këtë botë që zhvillohet e lëviz me shpejtësi të pabesueshme jashtë sferës sonë europiane, pyetja që i bën vetes është përse Europa nuk është aty? E kuptoj përse, por ndoshta kjo përgjigjie duhet përgatitur në një tjetër mënyrë. Fakti që kemi opinione të ndryshme për mënyrën sesi jetojmë nuk është arsye për t’u veçuar e mbyllur duke thënë se nëse do të bëhesh mik me ne duhet të jetosh si ne, sepse kështu rrezikojmë të kemi sa më pak miq dhe humbim edhe mënyrën tonë të jetesës”- tha Rama.

Ndërsa më tej foli edhe për iniciativën e armatimit të BE, duke thënë se një gjë e tillë është e rrezikshme pasi mundet edhe të lindin konflikte mes shteteve anëtare.

“Duhet të jemi miq njëherë para se të jemi aleatë. Kjo do të shmangë edhe luftërat. Sepse ta shndërrosh Europën nga një projekt paqeje në një projekt lufte, nuk mendoj se është zgjidhje. Duke qenë 27 shtete dhe duke armatosur vazhdimisht veten, larg qoftë para se të vijë armiku do të shohim nëse armët do të punojnë mbi njëri-tjetrin”-shtoi Rama. Versus.al

Poll