Më 12 dhjetor Kuvendi kaloi me votat e socialistëve projektligjin për Paqen Fiskale. Ndërkombëtarët ishin shprehur kundër këtij projektligji duke pretenduar se mund të rritej rreziku i pastrimit të parave.
Sot kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim me përfaqësues të bizneseve për të shpjeguar sesi do të funksionojë paqja fiskale për të cilën tha se është një instrument i përdorur që në Romën e lashtë. Ndërsa nënvizoi se nga kjo paqe fiskale do të përfitojnë vetëm ato biznese të cilat nuk janë në konflikt me ligjin.
“Nuk është shpikje e jona, vetë togfjalëshi ka lindur në Romën e lashtë. Është instrument i përdorur për mijëra vite tanimë. Është për t’u dhënë një mundësi sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin që nuk janë në procese hetimore apo gjyqësore dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributorë legjitim që të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale të viteve të shkuara. Ky rishikim u jep mundësi sipërmarrjeve të korrigjohen duke e ribërë deklarimet e viteve të shkuara dhe duke pasur si motivim një tatim shumë më të ulët mbi fitimin sesa tatami që paguani rregullisht. Pra për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%. Kjo rrit formalizimin, nuk cënon integritetin ligjor të të gjithë këtij ndërveprimi dhe ndihmon një proces ku sipërmarrja fokusohet më shumë tek puna dhe tek sfidat e veta pa pasur barrën e të metave të të shkuarës.
Kjo shkon në paralel me një adresim të përgjithshëm të gjobave që shkojnë nga fshirja totale tek pagimi përmes kësteve. Paqja fiskale ka marrëveshje me sipërmarrjen mbi tatimin e tavanit të ri të fitimit. Bazuar në një projeksion shkencor të fitimit mbi fitimin e viteve të shkuara plus mbi rritjen ekonomike të pritshme dhe propozimin për të pranuar si fitim të vitit një shifër X, administrata dhe sipërmarrja bien dakord dhe nuk ka më asnjë lloj inspektimi apo kontrolli e burokratike”- tha Rama. Versus.al


