Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se do të kërkohet sërish ngritja e një komisioni hetimor për udhëtimet me charter të kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, burimet që ka e kanë njoftuar se në valixhet diplomatike të Ramës, ka ngarkesa të dyshimta.
Ai shton se më parë ka patur edhe informacione se persona të rrezikshëm kanë udhëtuar me charter së bashku me Ramën.
“Ne kemi kërkuar siç e dini ju dhe kemi kërkuar një hetim shumë me interes për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi ekzistojnë dyshime dhe të dhëna të pamohueshme për transporte me çarterin e Edi Ramës, për ngarkesa shumë të dyshimta.
Këtu i kam denoncuar sapo jam informuar. Ka burime të cilat thonë se valixhet diplomatiket të Edi Ramës me çarter, janë më voluminoze dhe më numerike të të gjithë qeverive të Europës të marra së bashku. Po. Për të mos thënë pastaj, se ka zëra të tjerë që me çarter kanë udhëtuar persona të rrezikshëm shumë të kërkuar. Atëherë, ne kërkuam një komision hetimor parlamentar me këtë. Ai u mbrojt nga pseudomaxhoranca e tij”- deklaroi Berisha.
Më tej shtoi se ka informacione se sa herë që Rama udhëton me charter ka një numër të madh baulesh ku sipas Berishës mund të ketë patur drogë apo trafiqe ilegale.
“Ne prapë do kërkojmë. Ne do kërkojmë sepse, dhe do kërkojmë dhe mbështetje ndërkombëtare, për të hetuar si këto shpenzime ashtu dhe baulet diplomatike. Se kur udhëton kryeministri zakonisht udhëton me valixhen e tij, por nëqoftëse ka një seri të pafundme baulesh, aty thuhet se është transportuar, janë trafiqe ilegale, monedhash, droge, apo ku ta di unë, nuk mund të them, sepse duhet hetimi. Por të dhënat i kam absolutisht shumë të qarta, informacionet më fal”- shtoi kreu i PD. Versus.al







