
Hysen Kadiu, kandidati më i votuar në listat e primareve të PD i cili mbeti jashtë listave të kandidatëve për deputet, i është përgjigjur akuzave të Berishës i cili deklaroi gjatë mbledhjes së Kadiu kishte punuar për Ramën dhe se nuk ishte angazhuar në fushatën për 11 majit.
Duke publikuar disa foto nga takimet e tij të cilat janë publikuar në rrjetet sociale, Kadiu shkruan se Berisha dhe ata që i rrinë afër janë keqinformuar. Ai theksoi se PD-së nuk i vjen asnjë e keqe nga kritikat dhe organizimi, ndërsa shton se partia ka nevojë për rifreskim.

Reagimi i plotë i Kadiut:
Sot në mbledhje të Kryesisë, kryetari Sali Berisha, ndër të tjera, ka hedhur akuza edhe ndaj meje, se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit kam punuar për Edi Ramën dhe nuk kam dhënë asnjë kontribut për PD.
I them doktor Berishës dhe të gjithë atyre që i rrinë afër dhe e kanë keqinformuar, se aktiviteti im gjatë fushatës është publik në Facebook-un tim. Sikundër, më mirë se kaq, këtë e dëshmojnë qytetarët e Kavajës dhe zonave përreth, që si në fushatë, para dhe pas saj, kemi qenë në kontakte dhe takime të vazhdueshme.
Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të gjithë atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre.
Demokratët kanë sot më shumë se kurrë nevojë për bashkim dhe jo për përçarje, për organizim dhe jo për “armiq të brendshëm”. Asgjë e keqe nuk i vjen PD-së nga kritikat dhe riorganizimi. Sikundër uji i ndenjur prej shumë vitesh ka nevojë për rifreskim, dhe këtë e thonë me zë të ulët edhe ata që përpara Sali Berishës heshtin. Ndërsa ne kemi vendosur ta themi me zë të lartë, përpara se të jetë vonë. Versus.al


