POLITIKË /

Berisha konfirmon koalicionin me Metën në 2025-ën dhe njofton risinë: Kryeministri të zgjidhet me referendum pas zgjedhjeve

Berisha u shpreh i bindur për fitoren ndërsa tha se pas zgjedhjeve do t'ja linte popullit në dorë që me anë të një referendumi të zgjidhte kryeministrin mes kandidatëve që do shpallin kandidaturën.

Shkruar nga Versus

Berisha konfirmon koalicionin me Metën në 2025-ën dhe njofton

Kryedemokrati Sali Berisha nëpërmjet një interviste të regjistruar për emisionin “Opionin” në TvKlan foli mbi përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës duke deklaruar se do të jetë në koalicion me partinë e Lirisë të kryesuar nga Ilir Meta.

“Me zotin Meta unë kam raporte shumë të mira. Bashkëpunimi në zgjedhje do jetë i ngushtë”, tha Berisha.

Teksa deklaroi se po bëhen përgatitjet për betejën e ardhshme elektorale, Berisha tha se do të nisin edhe protestat për qeveri teknike duke e konsideruar këtë të fundit si garanci për një garë më të barabartë në zgjedhje.

“Po bëhen të gjitha përgatitjet për një betejë pa kthim drejt qeverisë teknike. I garantoj shqiptarët se me Edi Ramën, kurrë zgjedhje të lira nuk mund të ketë! Dhe ndaj ne po përgatitemi për të nisur një betejë të pandalshme gjer në krijimin e qeverisë teknike. Qeveria teknike është kusht për një lloj barazie më të madhe në fushatën elektorale dhe në zgjedhje. Përndryshe zgjedhjet janë të ekzekutuara, të përfunduara pa u zhvilluar”, tha Berisha.

Më tej kryedemokrati duke pretenduar gjithmonë fitoren, ftoi që pas zgjedhjeve kryeministri të zgjidhet me referendum nga populli dhe përballë tij të kandidonin edhe figura të tjera.

“Do ta ftoj cilindo që dëshiron ta sfidojë Sali Berishën me votën e qytetarëve për kryeministër. Një risi moderne, modernissima. Kjo në funksionimin e një opozite”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha prej datës 30 dhjetor 2023 po mbahet nën arrest shtëpie për dosjen hetimore që njihet si “afera e privatizimit të ish-kompleksit Partizani” për të cilën SPAK e mori zyrtarisht si të pandehur nën akuzën e korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi i cili gjithashtu mbahet nën arrest shtëpie. Ky i fundit akuzohet edhe për pastrim parash ndërsa në dosjen e zbardhur nga Versus.al, hetimet e SPAK rendisnin transaksionet e tij të dyshimta bankare me shuma parash të cilat nuk i kishte deklaruar si pasuri.

Me t’u marrë i pandehur, Berisha nisi daljet për shtyp duke akuzuar prokurorët e SPAK se ishin të drejtuar politikisht nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa tha se i mbetet qëndrimit për të kandiduar si kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: