
Analisti Arjan Curri deklaroi mbrëmjen e shkuar në media se midis kreut të grupit parlamentar socialist dhe atij demokrat ekziston një marrëdhënie që është shumë ndryshe nga ajo çfarë shohim në Parlament ku nuk mungojnë fyerjet dhe etiketimet në drejtim të njëri-tjetrit.
Sipas Currit, Taulant Balla dhe Gazment Bardhi bëjnë marrëveshje të fshehta kundër interesave të popullit, në një ambient brenda godinës së parlamentit.
Pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të, Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Përmes një reagimi publik, Balla i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si dezinformim dhe duke përdorur tone ironike ndaj Currit.
“Një gazetar me shumë eksperiencë këtë soj e quan kolltukofag, sepse ky në vend të lajmit, siç bëjnë gazetarët/gazetaret e palodhur dhe më pak të paguar të terrenit, sajon lajmin e rremë nga kolltuku”, shprehet Balla.
Më tej, ai shton se debatet televizive të mbrëmjes shpesh krijojnë narrativa të pavërteta dhe se dakordësitë politike në funksion të interesit të vendit nuk duhet të interpretohen si tradhti.
“Shushunjat” e darkës kur nuk ka sherr në Kuvend ngelen pa pickuar, ndërsa dakordësinë për hir të interesit të Shqipërisë e quajnë tradhti. Prandaj rekomandohet të mos deinformoheni nga kolltukofagët e banaqeve të darkës. Besojuni raportimeve të gazetarëve”, shkruan Balla.

