Me anë të një fotoje të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale ku Berisha dhe Rama shfaqen bashkë përballë popullit, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka ironizuar dakordësimet e opozitës dhe maxhorancës në lidhje me draftin për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe për Draft-Rezolutën në lidhje me anëtarësimin në BE.
Sipas tij, bëhet fjalë për një "marrëveshje të heshtur mbijetese" ku Rama mban pushtetin dhe Berisha mban partinë kryesore të opozitës. Mes të tjerash, Salianji e cilësoi "tradhti" ndaj demokratëve bashkimin e votave mes PS dhe PD.
“Në vend që opozita të ishte alternativa morale dhe politike përballë pushtetit, po shohim një marrëveshje të heshtur mbijetese: Rama mban pushtetin, Berisha mban partinë. Dhe në fund humbësi i vetëm mbeten qytetarët shqiptarë, të cilëve po u merret e drejta për të zgjedhur mes alternativash të vërteta.
Të bashkosh votat me Ramën dy javë rresht, në momentin kur qeveria është nën presion për korrupsionin, zgjedhjet, standardet demokratike dhe integrimin europian, është mëkat ndaj shoqërisë dhe tradhti ndaj demokratëve që kanë sakrifikuar për të rrëzuar këtë regjim. Çfarë merite ka Edi Rama që sa herë ndodhet në zgrip, merr oksigjen politik nga Sali Berisha?”- shkruan Salianji. Versus.al

