POLITIKË /

“Po ndërtojmë histori suksesi”, BE dha "ok" për IBAR, Rama: PD u përpoq të na baltoste, por humbi sërish

Rama tha se ndryshe nga përpjekjet e bëra nga PD për të baltosur vendin, Shqipëria po ia del në negociatat për anëtarësim në BE.

Shkruar nga Versus

“Po ndërtojmë histori suksesi”, BE dha "ok"  
Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën e sotme me një postim në rrjetet sociale lidhur me ecurinë e negociatave me BE dhe konferencën ndërqeveritare që do të mbahet në Bruksel për të shënuar nisjen e fazës për përmbylljen e kapitujve negociues. 

Në nisje të shkrimit të tij për raportin e IBAR që pritet të miratohet sot në mbledhjen e ambasadorëve të BE, ai nuk ngurroi të ironizonte opozitën dhe protestat e saj duke thënë se u përpoq që ta baltoste Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve, por nuk ia doli. 

"MIRËMËNGJES. Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.

U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.

Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi. Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri - BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton.

Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE.

Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik. Forca Shqipëria"- shkruan Rama duke iu referuar mbledhjes që pritet të zhvillojnë sot ambasadorët e vendeve të BE për miratimin e raportit të IBAR.

Kreu i qeverisë nuk ishte i pranishëm në interpelancën e ditës së djeshme në Kuvend të kërkuar nga PD për emigrimin masiv të shqiptarëve dhe mungesën e lindjeve dhe të fuqisë punëtorëve në vend. Versus.al

Poll