Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të hënë një mbledhje me kryetarët e degëve në selinë blu, ku theksoi nevojën për riorganizim të thellë të partisë dhe përgatitje intensive për protestën e paralajmëruar më 8 maj.
Gjatë fjalës së tij, Berisha pranoi se ndër vite janë bërë gabime që kanë ndikuar në funksionimin dhe organizimin e forcës politike që ai drejton. Ai u bëri thirrje drejtuesve lokalë dhe strukturave të partisë që të përqendrohen në riorganizimin në çdo nivel, nga seksionet deri te drejtimi qendror.
Kryedemokrati vendosi theks të veçantë te mobilizimi për protestën e ardhshme, duke kërkuar angazhim maksimal dhe kontakte të vazhdueshme me qytetarët për të rritur pjesëmarrjen.
Ai theksoi se “organizimi” duhet të jetë prioritet absolut për Partinë Demokratike, në mënyrë që, sipas tij, të përballet me sfidat aktuale politike dhe të forcojë pozitat në terren.
"Nga ju drejtuesit e degëve të PD kërkohet një përqendrim total në përgatitjen e protestës së ardhshme të datës 8 maj, një takim dhe biseda intensive me qytetarët për t’u shpjeguar atyre se nuk ka dhe nuk ka pasur armik më të egër se Edi Rama për shqiptarët dhe për Shqipërinë.
Së dyti, ju e keni të qartë se për të gjithë ju, për të gjithë ne, kryefjala e të gjithë kryefjalëve është organizim, organizim, organizim. Ne jemi parti e madhe, ata që e vënë në dyshim këtë, gabojnë. Por ne kemi pasur një problem, dhe duhet t’i njohim problemet tona, ne nuk jemi marrë në shkallën e duhur me organizimin.
Për një seri, por ne nuk jemi ata që kemi përkushtuar në shkallën e duhur energjitë, përqendrimin tonë. Ndaj dhe sot dhe çdo ditë, kryetarët, anëtarët e kryesive, drejtuesit e qarqeve, koordinatorët, kryetarët e grup seksioneve, kanë detyrën më të rëndësishme, organizimin, riorganizimin e kësaj partie, nga seksionet, gjer në drejtimet kryesore. Edhe kjo është e domosdoshme për t’u përballur me situatën e krijuar. Edi Rama është në pozitë të vështirë, nuk del më nga ky qerthull. Edi Rama del nga ky qerthull vetëm po e lamë ne.”, tha Berisha./Versus.al

