POLITIKË /

Debati i ashpër me Fevziun, Qori: Vendosi të mos bënte më emision! Të tjerët heshtën për sulmin verbal ndaj meje

Teksa foli për debatin e ashpër që pati me Blendi Fevziun, Qori e cilësoi "shkurajuese" heshtjen e drejtuesve të tjerë të partive të reja ndaj atij që e konsideroi si "sulm verbal" nga ana e moderatorit të emisionit 'Opinion'.

Shkruar nga Versus
Debati i ashpër me Fevziun, Qori: Vendosi të mos bënte më
Foto: Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori dhe moderatori i emisionit "Opinion" Blendi Fevziu

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori ka reaguar sërish pas debatit të ashpër që pati me moderatorin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” ku përveç Qorit ishin të ftuar dhe drejtues të tjerë të partive të reja opozitare.

Duke iu përgjigjur dhe kritikave për faktin se debati mes tij dhe Fevziut zuri pjesën më të madhe të kohës televizive, Qori tha se ai synonte të fliste për mundësinë e një aleance me partitë e reja dhe më pas programin e Lëvizjes Bashkë, por theksoi se Fevziu po i qëndronte të njëjtës temë.

“Po e ftoja që të më jepte mundësinë që t’i përgjigjesha pyetjes së tij të dytë për aleancën mbi partitë e tjera dhe më pas mbi programin e Lëvizjes Bashkë. Mirëpo drejtuesi i emisionit nuk e di për çfarë arsyesh, ndoshta se kërkonte më shumë klikime, ndoshta se e mori si sulm personal atë që ishte kritikë për institucionin, vendosi të mos bënte më emision, por në çdo moment të fliste vetëm për këtë çështje dhe të eklipsonte të tjerët që ishin të ftuar në atë emision”- shprehet Qori në videon e publikuar.

Një kritikë e pati edhe për drejtuesit e partive të reja opozitare për të cilët tha se në asnjë moment nuk u solidarizuan me atë që ai e quajti “sulm verbal” nga ana e Fevziut. Duke e konsideruar si “shkurajuese” indiferencën e Adriatik Lapajt, Agron Shehajt dhe Endri Shabanit, pedagogu i Shkencave Politike tha se bashkimi kërkon akte të vështira edhe kur bëhet fjalë për t’ju kundërvënë njerëzve me pushtet.

“Nga ana tjetër nuk mund të mos shpreh keqardhjen për solidaritetin e munguar ndaj sulmeve verbale të drejtuesit të emisionit, nga kolegët e partive të tjera në panel. Mu duk medoemos sikur donin t’i bënin qejfin drejtuesit të emisionit dhe ndoshta pronarit të TVKlan kushedi mbase për të marrë ndonjë ftesë më shumë për të ardhmen. Mu duk shkurajuese dhe indinjuese heshtja e tyre ose tentative për të vënë gishtin tek un si ky nxënësi i keq që duhet disiplinuar në mësuesi i rreptë. Është lehtë të flasësh për bashkime, por është e vështirë ta bësh atë gjë kur preken interesat e njerëzve shumë të pushtetshëm dhe të pasur në Shqipëri”- shtoi kreu i Lëvizjes Bashkë.

I gjithë debati i mbrëmjes të të enjtes mes Fevziut dhe Qorit, ishte për pretendimet e këtij të fundit se biznesmeni Samir Mane, sipas tij kishte dhënë urdhër që të mos ftohej në emision për shkak të qëndrimeve të tij pro minatorëve të Bulqizës në organizimin e grevave dhe qëndresave të ndryshme. Versus.al

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: