Kreu i Lëvizjes “Bashkë” Arlind Qori ka debatuar ashpër mbrëmjen e djeshme me moderatorin Blendi Fevziu në “Opinion” duke thënë se ky i fundit nuk e kishte ftuar në emision për shkak të biznesmenit Samir Mane.
Sipas Qorit, greva e minatorëve e organizuar nga Lëvizja Bashkë është bërë shkak për censurimin e tij deri në prill të vitit 2023. Ai përmendi një deklaratë të bërë nga Arian Çani, i cili më herët ia ka pranuar publikisht se kishte marrë urdhër që mos ta ftonte më në studio.
Pretendime të tilla u mohuan nga moderatori Blendi Fevziu i cili tha se ka edhe persona që thonë se Qori paguhet për të shpifur ndaj Samir Manes, por nuk i ka marrë parasysh.
Pjesë nga debati në studio:
Qori: Ti e di shumë mirë që unë nuk jam ftuar në Tvklan për konfliktin që kam patur me Samir Manen.
Fevziu: S’është e vërtetë
Qori: E di ti shumë mirë, e ka thënë Arian Çani publikisht pas grevës së minatorëve të Bulqizës. Këto fakte janë publike.
Fevziu: A je në vete apo jo, si mund të flasësh kështu kur unë jam këtu?
Qori: Nuk jam ftuar në Tv klan deri në 26 prill të 2023-it.
Fevziu: Po të them, ti je ftuar, asnjë ministër nuk është ftuar, ti je ftuar kryeparlamentarja nuk është ftuar. Po flas për kupolën e shtetit.
Qori: Unë po them të vërtetën…
Fevziu: Ky është mashtrim
Qori: Jo mos guxo të thuash mashtrim, e kanë thënë publikisht kolegët e tu.
Fevziu: Po ç’punë kam unë se çfarë thonë kolegët, edhe unë kam kolegë që thonë Arlind Qorin e paguajnë të tjerët, por nuk merrem me llafe mor zotëri.
Qori: Unë po të them është person publik i rëndësishëm që e ka thënë dhe quhet Arian Çani. Versus.al








