Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas situatës së rëndë të zjarreve që kanë përfshirë vendin në 48-72 orët e fundit, duke i cilësuar si ndër më të vështirat e përjetuara deri më tani.
Ai shprehu ngushëllime për familjet që kanë humbur të afërmit dhe solidaritet për ata që kanë mbetur pa strehë.
Sipas të dhënave zyrtare, janë 207 shtëpi të dëmtuara, nga të cilat 40 janë shkatërruar plotësisht.
Kryeministri siguroi se po kryhet inventarizimi i plotë i dëmeve dhe se asnjë familje nuk do të mbetet pa mbështetjen e shtetit.
Edi Rama: Jam këtu për të ndarë me ju disa përshtypje dhe patjetër disa të dhëna lidhur me 48, 72 orët e fundit, të cilat ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën zhvillim më të madh sesa cdo herë tjetër më parë këtë moment. Në radhë të parë dua që t’ju shpreh ngushëllim kujt të humbi të afërmin e vet dhe t’ju shpreh gjithë solidaritetin atyre familjeve që faktikisht kanë humbur shtëpinë nga zjarri, tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri por në këtë numër hyn 40 familje deri tani, të cilat e kanë humbur shtëpinë plotësisht. Dua t’i siguroj të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo ata që kanë pësuar dëmtime se ne po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe padiskutim siç ka ndodhur në të shkuarën, do të ndodhë përsëri. Askush nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe pa e pasur në krah shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë dhe për të parrë dëmshpërblimet përkatëse edhe për krerët e humbur. Deri tani numërohen 3 6019 krerë të humbur, do të kompensojmë një për një pa asnjë diskutim ndërkohë që inventarizimi i tyre vazhdon./Versus.al







