Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë, ku morën pjesë edhe shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke theksuar se ata nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë dhe duke kritikuar përdorimin e simboleve kombëtare gjatë manifestimeve kundër qeverisë.
Reagimi i kreut të qeverisë erdhi pasi një qytetare nga Tetova i kërkoi publikisht dorëheqjen në rrjetet sociale. Rama tha se nuk e njeh personalisht qytetaren, por se komenti i saj e shtyu të shprehej për një çështje që, sipas tij, po trajtohet gabimisht në debatin publik.
Sipas Ramës, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë, pasi janë popull shtetformues në vendin e tyre, ndërsa të njëjtin qëndrim shprehu edhe për shqiptarët e Kosovës, të cilët, siç tha ai, kanë shtetin e tyre të pavarur.
Në reagimin e tij, kryeministri akuzoi ata që morën pjesë në protestat në Tiranë se u paraqitën si "diasporë", ndërsa i cilësoi si "ushtarë të verbër të karvaneve politike nga Prishtina dhe Tetova".
"Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si 'diasporë', me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme", shkruan Rama.
Ai shton se organizatorët e këtyre lëvizjeve po dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa ngre pyetjen nëse ata që, sipas tij, "i duan shqiptarët në sherr e rrëmujë", gëzohen kur shohin pjesëmarrës që "turen si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë".
Rama pretendon se pas këtyre protestave qëndrojnë sponsorë, të cilët, sipas tij, po shpenzojnë para vetëm për të dëmtuar imazhin kombëtar dhe ndërkombëtar të shqiptarëve.
"Sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste, le të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe deri në ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029", shkruan ai.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të kryeministrit lidhet me përdorimin e flamurit të UÇK-së gjatë protestave në Tiranë. Rama e cilëson këtë si një përdhosje të simbolit të luftës çlirimtare.
"Nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë. Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse", shprehet ai.
Në fund të reagimit, Rama citon vargje nga Gjergj Fishta dhe u bën thirrje komentuesve të mos e lidhin deklaratën e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai shprehet se nuk e konsideron Kurtin përgjegjës për personat e Vetëvendosjes që, sipas tij, janë përfshirë në këto zhvillime, duke theksuar se "çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet" dhe duke kërkuar që emri i kryeministrit të Kosovës të lihet jashtë këtij debati.
Reagimi i Ramës u nxit nga një postim i një qytetareje nga Tetova, e cila i kërkonte dorëheqjen dhe kritikonte pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në zhvillimet politike në Tiranë.

