Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka komentuar kërkesat e deputetëve të listës së hapur për rinumërimin e votave të zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se janë të lirë të bëjnë transparencë.
Dhe ndryshe nga Rama ai nuk pengon kandidatët për pretendimet e tyre.
Berisha: Për sa u përket kandidatëve, unë nuk e di sa kanë kërkuar rinumërimin apo sa kanë kërkuar procedurën, por cilido që dëshiron, është i lirë ta bëjë.
Ne nuk bllokojmë asnjë njeri që ta bëjë transparencën.
Në qoftë se ka pasur njerëz të pandërgjegjshëm, ata do identifikohen dhe do mbahet qëndrim ligjor.
Këtu ne nuk kemi dy standarde, por nuk kemi standardin e Edi Ramës që ndalon transparencën.
Atë nuk e bëjmë kurrë ne.
E qartë përgjigja?
Nuk e di sa janë, se ne edhe para dy ditësh, kam përsëritur udhëzimin që çdo kandidat që kërkon transparencë, t’i jepet mbështetje nga partia.
Katër kandidatët e Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti, Mimoza Hadarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja që morën pjesë në zgjedhjet e 11 Majit kanë depozituar kërkesa për rinumërimin e votave preferenciale në qarqet e Tiranës dhe Durrësit.
Ata ngrejnë pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit, duke pohuar se votat e tyre preferenciale janë regjistruar gabimisht në emër të kandidatëve të tjerë. Versus.al







