Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me largimet nga PD pas publikimit të listave shumë emërore të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Duke përmendur deputetin Dashnor Sula i cili pasi u la të garonte në listën e hapur të Elbasanit njoftoi kalimin te koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, Berisha solli në vëmendje edhe konsideratën e Ramës i cili pavarësisht ironisë e konsideroi Sulën ndryshe nga të tjerët në PD.
"Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës për Dash Sulën, i cili ka karrierën e tij. Por, mendoj se, hapi që bëri, të rreshtohet me opozitën e opozitës, pra de facto, me një patericë të Edi Ramës nuk është zgjidhja, në vlerësimin tim. Megjithëse unë, e theksoj këtu, respektoj zgjedhjen si thelbin e lirisë të çdo individi"- tha Berisha.
Ai shtoi se braktisja nuk lidhet me faktin se nuk ishin në zonë të sigurtë, por se kandidatët kanë preferuar të vazhdojnë jetën e tyre private.
“Një pjesë, nuk është e vërtetë se kanë braktisur se nuk janë në zonë të sigurtë. Një pjesë e tyre, më përpara kanë bërë të ditur se nuk do të hyjnë në garë. Dhe cilido, le të bëjë një check up tek lista e kandidatëve që kanë hyrë në garë. Pra, kanë preferuar të vazhdojnë jetën e tyre private.
Në tërësi, deputetët kanë pranuar verdiktin e listës. Tani, nuk po flas për ndonjë që nuk e pranoi verdiktin, po unë mendoj se beteja kundër Edi Ramës zhvillohet, jo nga opozitat e opozitës, se ato janë vetëm për të ndihmuar Edi Ramën, po ajo zhvillohet në gjirin e aleancës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’"- deklaroi Berisha në konferencë për shtyp.
Prej tërheqjeve më të bujshme ishin ato të Hysen Kadiut që u rendit i pari në Primaret e Tiranës dhe ajo e deputetit Dashnor Sula i cili u rendit i pari në Primaret e Elbasanit. Edhe me këtë rezultat, ata u lanë të garonin në listat e hapura, në pozicione të pasigurta për të hyrë në Kuvend. Në reagimet e tyre ata kanë shprehur zhgënjimin ndaj lidershipit të PD duke deklaruar se prisnin më shumë duke qenë se morën mjaft mbështetje në Primare. Versus.al







