POLITIKË /

Dha intervistë pas orarit të lejuar, Meta 'dënohet' me 10 ditë. I ndalohet aktiviteti fizik: Do vazhdoj të flas!

Meta konfirmoi se nuk ishte në dijeni se telefonatat nuk lejoheshin pas orës 20:00, duke theksuar se do ta kishte respektuar rregullin nëse do ta dinte më parë.

Shkruar nga Versus

 

Dha intervistë pas orarit të lejuar, Meta 'dënohet' me

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dhënë së fundmi një intervistë ku ka ndarë për publikun përvojën e tij nga brenda qelisë. Ai ka zbuluar se është dënuar me 10 ditë ndalim të aktiviteteve sportive, pas një interviste të dhënë përmes telefonit, jashtë orarit të lejuar.

Meta konfirmoi se nuk ishte në dijeni se telefonatat nuk lejoheshin pas orës 20:00, duke theksuar se do ta kishte respektuar rregullin nëse do ta dinte më parë. Ai e cilësoi vendimin e dhënë si “historik” dhe u shpreh i vendosur për të mos ndalur zërin e tij publik:

“Intervistat e mia nuk do të ndalen, madje do t’i shpeshtoj.”

Duke folur për jetën në burg, Meta tha se ka njohur njerëz që i cilësoi si “fisnikë”, të cilët ndodhen prapa hekurave bazuar, sipas tij – në statistika jo të vërteta.

Pjesa nga intervista e Metës:

Pyetje: Meta a është i vërtetë lajmi që jeni dënuar me 10 ditë për mos zhvillim të aktiviteteve sportive për shkak të intervistës që dhatë pak ditë më parë për gazetaren Beti Njuma në Ora Neës?

Meta: Po, ky vendim "historik" është i vërtetë dhe m'u komunikua sot nga Komisioni i Disiplinës në IEPV "Jordan Misja", gjoja pse kisha kryer një bisedë telefonike në ora 20:20, kur telefonatat lejohen deri në ora 20:00.  Këtë orar strikt unë nuk e dija sepse sigurisht do ta respektoja. Në fakt ndalimi i aktivitetit tim sportiv (ping-pong) për 10 ditë ndodhi për shkak të intervistës që unë dhashë për kolegen tuaj Beti Njuma.

Unë kam telefonuar z. Tedi Blushi, me të cilin jam në kontakt të vazhdueshëm, i cili ishte duke zhvilluar live një intervistë me të dhe natyrisht që nuk mund t'i shmangesha pyetjeve të Znj.Njuma, në respekt jo vetëm të integritetit të lartë profesional që ka por edhe të pasionit të saj për ngjitjen në male. Pavarësisht "dënimit historik" të jeni të bindur se intervistat e mia nuk do të ndalen, përkundrazi tani do të jenë edhe më të shpeshta.

Pyetje: Si ndiheni në burg tani prej 8 muajsh?

Meta: Unë personalisht ndihem në top-formë si kurrë më parë. Ushtrohem disa herë në ditë dhe lexoj e shkruaj shumë, kam mësuar shumë gjëra të reja, pasi kurrë s'kam jetuar në konvikt.
Kam takuar (edhe pse shumë pak), njerëz të mrekullueshëm dhe fisnikë që rrinë këtu vetëm për statistika të rrejshme.

Pyetje: Po me të nxehtin tani si ja bëni?

Meta: Kjo nuk është sfidë për mua pasi unë kam problem kondicionerin dhe jo të nxehtin.
Vërtet tani nuk ka ujë, këtu në mes të Tiranës edhe 12 vjet pas premtimit të Kryerilindasit, por kur vjen 1 ose 2 orë, mbushim bidonat për t'u larë.

/Versus.al

Poll