POLITIKË /

"Diellën nuk e kontrolloj unë", Rama në Danimarkë: S'jam më i zgjuar se algoritmet, po vrapojmë drejt BE

Sipas Ramës, ai nuk e ka të mundur të ndërhyjë në algoritme, ndërsa tha se ministrja virtuale po përgatitet për të punuar me tenderat publikë.

Shkruar nga Versus

"Diellën nuk e kontrolloj unë", Rama në Danimarkë:

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kopenhagen të Danimarkës ku po zhvillohet sot samiti i 7-të i Komunitetit Politik Europian mbi sigurinë në kontinent dhe mbështetjen e Ukrainës.

Teksa hynte në sallën ku mbahej seanca plenare, Rama u pyet nga gazetarët për ministren virtuale “Diella”. Ai tha se është e pamundur që ai ta ketë në kontroll ministren virtuale, ndërsa përmendi disa prej shërbimeve të ofruara prej saj për qytetarët shqiptarë deri më tani.

“Kontrollin tim? Do të thotë se unë jam më i zgjuar se algoritmet? Kjo është diçka e re dhe si çdo risi i duhet të përballet me kritika që është gjë e mirë. Nisi si asistente virtuale për shërbimet publike për qytetarët dhe ka ndërvepruar me afro 1 milionë persona. Ka lëshuar 36 mijë dokumente deri më tani me vulën digjitale. Së dyti po punon për transpozimin e legjislacionit të BE me legjislacionin tonë në kuadër ëtë bisedimeve të Shqipërisë me BE. Së treti, po përparon për të punuar me tenderat publikë”- tha Rama.

Sa i takon negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, Rama tha se Shqipëria “po vrapon” dhe se shumë shpejt do jetë anëtare e Bashkimit Europian.

“Nuk po presim për BE, po vrapojmë shumë shpejt. Ne do të jemi gati shumë shpejt dhe ju takon të mëdhenjve në sallë që të mos presin më, por të na përqafojnë e të na mbështesin sepse do jemi vlerë e shtuar e BE”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

Poll