Kryeministri Edi Rama, ashtu si të dielën e kaluar kur u kremtua Fitër Bajrami, ka publikuar një tjetër video satirike me dialog të improvizuar mes Adriatik Lapajt, kreut të koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Në bisedën e improvizuar, Rama kërkon ta shfaqë Lapajn, partia e të cilit sapo është krijuar, si të drejtuar nga Sali Berisha, pavarësisht se kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet” ka shprehur haptas kundërshtinë e tij për palët e vjetra politike.
Sipas dialogut të improvizuar të publikuar nga Rama, Berisha i jep direktiva Lapajt, ndërsa ironia nuk mungoi as për Bashën të cilit të dy i kërkonin të kthehet në gjumë.
Pjesë nga biseda:
Lapaj: O buf, ti thua të them Shqipëria bëhet po si bëhet?
Berisha: Me zhurmë dhe premtime Lapaj!
Basha: Revolucioni ka ardhur! 7x7=313
Lapaj: O Basha fli or burrë se s’ta kemi ngenë edhe ty!
Basha: Unë të fle? Tani që fitorja po më buzëqesh s’ka më gjumë!
Berisha: Kurrë s’do ketë fitore për ty tradhtar! Fitorja do t’i buzëqeshë vetëm Lapaj po më dëgjoi mua!
Basha: Lapaj e gënjen mendja bashkë me ty! To Adriatik bëhu euroatlantik!
Lapaj: Ik o Basha merru me Ramën që gënjen. Berisha është burrë që e mban llafin.
Berisha: Bravo Lapaj! Ti bëhesh! Tani rolin e ke ti!
Lapaj: Do rris pagat, do ul çmimet, do e bëj Shqipërinë lule o lule.
Berisha: Shkëlqyeshëm! Dhe kur të të pyesin si do t’i rrisësh pagat do thuash do ia marrim hajdutëve.
Lapaj: E di atë!
Berisha: Nëse dikush thotë që ti punon për mua, do thuash jam i ri. Jam i popullit, jo i politikës!
Lapaj: Ashtu jam!
Berisha: Ti je një talent natyral djalosh. Gënjen dhe i beson edhe vetë ato! Bravo!
Lapaj: Shqipëria bëhet atëherë!
Berisha: Atë e shohim më vonë, po tani përgatitu se po vjen ora e shfaqjes.
Pas videos së parë të publikuar, Lapaj reagoi me habi sesi një kryeministër në një ditë feste mund të merret me të dhe me animime të tilla, ndërsa theksoi edhe njëherë qëndrimet e tij të vazhdueshme kundër Ramës dhe Berishës. Versus.al








