Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar në Top News se ka ambicie që në një të ardhme të ketë kryetar i kësaj force politike.
“Do isha jo i vërtetë po të thosha që nuk kam ambicie”, i tha Salianji moderatores.
Sipas tij, PD do të arrijë të bëjë rotacion pushteti në Shqipëri dhe shtoi më tej se po bën takime të shumta me qytetarët.
“Jam i bindur që Partia Demokratike do të jetë një parti që bën të mundshëm rotacionin në Shqipëri. Nuk ka zgjedhje tani në PD, ka një diskutim për farsën ose se si mund të forcohet PD dhe në këtë moment unë jam duke bërë atë, betejën opozitare, diskutimet me njerëzit. Me njerëz që e duan opozitën si një instrument për të ndryshuar shoqërinë, jo vetëm për ambicie personale. Kushdo që është në politikë ka ambicie, nuk mund të them, por që ky nuk është momenti”, u shpreh Salianji.
Salianji u shpreh se strategjia kryesore e protestës duhet të jenë protestat masive në rrugë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe për të paralizuar veprimtarinë e qeverisë.
“Duhet të ketë protesta masive, në rrugë. Duhen protesta masive për të paralizuar veprimtarinë e qeverisë për të shkuar në zgjidhje konkrete. Në këtë moment kur ka dalë raporti i OSBE-ODIHR, duhen përtypur të gjithë këto”, shtoi ish-ligjvënësi. Versus.al







