
Juristja 27 vjeçare, Kleana Xhuveli do të përfaqësojë koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” në Kuvendin e Shqipërisë. E reja ishte sot e pranishme në KQZ ku edhe iu dha e drejta e përfitimit të mandatit duke qenë se ishte e renditur e katërta në listën e mbyllur të Tiranës.
Ajo u shpreh për mediat se do të vijonte ta mbante mandatin deri kur të arrihej që t’i kalonte më të votuarit të listës së hapur kushëririt të saj Adriatik Lapaj.
“Do ta përfaqësoj vullnetin e votuesve deri në momentin që mandati do t’i kalojë njeriut më të votuar të koalicionit, Adriatik Lapajt”- tha Xhuveli e cila e pyetur për marrëdhënien familjare me Lapajn tha se është vajza e tezes së tij.
Po kush është 27 vjeçarja që do të përfaqësojë këtë koalicion në Parlament?
Në CV-në e dorëzuar në KQZ, Kleana ka lindur në Greqi dhe është 27 vjeçe. Ka përfunduar studimet në një universitet privat në vendin tonë, në UET, për të përfunduar më pas Master Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Ndër eksperiencat e punës, Kleana Xhuveli deklaron se ka punuar si asistente në kompani private si "Delta Group", "RM Group" dhe DHKN.
Më herët në intervistat për mediat, Lapaj e ka cilësuar Xhuvelin duke iu referuar si “motra ime” për shkak se kjo e fundit që 8 muajshe është rritur në shtëpinë e tij dhe është birësuar nga nëna e Lapajt.
Xhuveli ka qenë pjesë e fushatës “Shqipëria Bëhet” në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa ka mbajtur edhe role organizative.Versus.al







