
Shqipëria nuk ka ndërmend ta zgjasë marrëveshjen e migracionit me Italinë pas vitit 2030. Kjo u bë e ditur nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, në një intervistë për Euractiv.
Sipas tij, marrëveshja pesëvjeçare e firmosur mes dy vendeve është e lidhur ngushtë me objektivin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. “Nuk mendoj se do të ketë zgjatje, sepse deri atëherë Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së”, u shpreh Hoxha.
Aktualisht, qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni po përdor qendrat në Gjadër dhe Shëngjin për të mbajtur migrantët që nuk kanë arritur të fitojnë azil në Itali. Kjo skemë konsiderohet pjesë e strategjisë së disa vendeve evropiane për të zhvendosur trajtimin e migrantëve jashtë territorit të tyre.
Marrëveshja, e ratifikuar në fillim të vitit 2024, është shoqëruar me debate politike dhe sfida ligjore në Itali. Megjithatë, në prill ajo mori një mbështetje të rëndësishme pasi një avokat i përgjithshëm pranë Gjykatës së Drejtësisë së BE-së vlerësoi se skema është në përputhje me ligjin europian.
Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është tërhequr nga marrëveshja pavarësisht polemikave, duke e cilësuar vendin si një partner të besueshëm për Italinë. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e ka përshkruar bashkëpunimin mes dy vendeve si një partneritet “ekskluziv”, për shkak të lidhjeve të forta mes Tiranës dhe Romës.
Ministri shqiptar hodhi poshtë edhe aludimet se Italia mund të pengojë integrimin europian të Shqipërisë për të mbajtur funksionale kampet e migrantëve. “Italia kishte nevojë për ndihmë. Ne ndihmuam. Dhe kjo nuk mund të harrohet”, deklaroi ai.

