Janë zbardhur disa prej direktivave kryesore që kryeministri Edi Rama ka dhënë gjatë mbledhjes së tij me strukturat e Tiranës gjatë pasdites së sotme. Mësohet se të gjithë deputetët dhe drejtuesit politikë që nuk kanë zgjedhje në bashkitë e tyre, do të angazhohen në fushatën e Tiranës.
Gjithashtu në terren do të zbresin edhe ministrat të cilëve do t’u caktohen zona të ndryshme për t’i drejtuar. Zonat elektorale për deputetët dhe deputetët socialistë që kanë garuar në Tiranë do të jenë të njëjta si ato për zgjedhjet e 11 majit.
“Dua të kemi një fitore sa më të madhe”- mësohet të jetë shprehur Rama në takimin me dyer të mbyllura në selinë e PS duke lënë të kuptohet se fitoren as nuk e diskuton, por kërkon një rezultat sa më bindës.
Për datën e zgjedhjeve, Rama u ka thënë të tijëve se kjo është data e caktuar nga presidenti Bajram Begaj dhe jo e zgjedhur prej tij personalisht. Ndërkohë, kujtojmë se drejtuese politike e qarkut Tiranë është caktuar Belinda Balluku pas rezultatit të thellë që arriti në qarkun e Fierit më 11 maj. Versus.al







