POLITIKË /

Flamur Noka kolegëve demokratë: Mos hajdeni në Kuvend me kostume 5 mijë euro dhe kollare 2 mijë euro

Flamur Noka, nënkryetar i PD-së, u shpreh me tone të ashpra ndaj disa kolegëve deputetë, duke theksuar se opozita nuk është vend për shfaqje luksi.

Shkruar nga Versus
Flamur Noka kolegëve demokratë: Mos hajdeni në Kuvend me kostume
Flamur Noka

Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku u diskutua strategjia e opozitës për javën e ardhshme në Kuvend, nuk munguan as kritikat e brendshme.

Flamur Noka, nënkryetar i PD-së, u shpreh me tone të ashpra ndaj disa kolegëve deputetë, duke theksuar se opozita nuk është vend për shfaqje luksi.

Sipas burimeve nga mbledhja, Noka ka theksuar se deputetët e opozitës duhet të mbajnë qëndrime të forta dhe të mos u nënshtrohen rregullave që, sipas tij, mazhoranca po përpiqet t’i imponojë.

“Miq, ne jemi deputetë të opozitës dhe opozita ka disa të drejta që nuk i lëshojmë kurrë. Një rregull që vepron prej 35 vitesh në Parlament nuk mund të na diktojë Niko Peleshi e Taulant Balla ndryshe tani. Ne jemi në Kuvend për betejë, jo për nënshtrim,” – mësohet të ketë thënë Noka.

Duke vijuar, Noka ka shtuar:

“Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë.”

Noka theksoi se Partia Demokratike nuk kërkon asgjë më shumë sesa ushtrimin e të drejtave që i takojnë opozitës dhe se çdo tentativë për ta “zbutur” opozitarizmin, sipas tij, është e papranueshme.

“Të drejtat tona do t’i mbrojmë. Nuk nënshtrohemi. Kush ka frikë nga përballja, le të vazhdojë, por kjo s’ka lidhje me opozitarizmin.”

Poll