
Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj përsa i takon zgjedhjeve të parakohshme të parashikuara për t'u mbajtur më 9 nëntor në bashkinë e Tiranës.
Kushtetuesja u vu në lëvizje pas padisë së dytë të bërë nga kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj kundër dekretit të Begajt të cilin e konsideroi antikushtetues. Veliaj kërkonte që zgjedhjet në bashkinë e Tiranës të pezulloheshin deri në shqyrtimin e kërkesës së bërë më herët ndaj tij sa i takon shkarkimit nga qeveria.
Ndërkohë, gjykata do ta shqyrtojë kërkesën e Veliajt më datë 31 tetor. Masa e pezullimit të zgjedhjeve do të jetë e vlefshme vetëm për bashkinë e Tiranës, ndërsa për zgjedhjet e parakohshme në bashkitë e tjera, mbetet në fuqi data 9 nëntor.
Shkarkimi i Veliajt nga qeveria, u bë pasi këshilltarët bashkiakë të PS dhe PD votuan me unanimitet për ta hequr nga posti i kryebashkiakut me motivacionin se nuk ishte paraqitur në detyrë duke kryer kështu shkelje të rëndë. Dy ditë pas shkarkimit, Veliaj dorëzoi në Kushtetuese ankimin duke pretenduar se ai ka qenë në kushte arresti dhe kësisoj nuk ka patur sesi të paraqitej në detyrë.
Pavarësisht se marrja në shyqrtim e ankimit nga Gjykata Kushtetuese si rregull sjell pezullimin e procesit zgjedhor për Tiranën, Begaj vijoi dhe nxorri dekret për datën 9 nëntor duke u shprehur se Veliaj duhej ta kishte bërë ankimin në gjykatën administrative. Pas dekretit të Begajt, Veliaj dorëzoi sërish ankim dhe sot Kushtetuesja vendosi në favor të tij duke pezulluar zgjedhjet për Tiranën. Versus.al







