
Ditët e fundit është komentuar shumë në pothuajse çdo studio televizive paraqitja e ish-presidentit Ilir Meta, në seancën gjyqësore që u zhvillua kundër tij të hënën e 27 prillit, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u duk më i dobët se kurrë më parë.
Pamja e tij u konsiderua dukshëm e ndryshuar, çka solli një sërë reagimesh nga publiku, ndërsa pati edhe akuza nga ana e opozitës për keqtrajtim të tij në qelinë e paraburgimit. Por cila është e vërteta?
Kryetari i Partisë së Lirisë ka folur për këtë në një intervistë për Blendi Fevziun.
Meta i ka hedhur poshtë të gjitha teoritë e qarkulluara, duke thënë se gjendja e tij është më e mirë se kurrë dhe se ndyshimi drastik në paraqitjen e jashtme ka ndodhur për shkak të stërvitjes së tij intensive.
“I dashur Blendi, jam i bindur se përshtypja apo çudia më e madhe ishte paraqitja ime në kafazin me ‘5 yje’. Ndërkohë e gjithë përpjekja e regjimit sorosist u përpoq të shpërqëndronte vëmendjen e publikut gjoja te paraqitja ime shëndetësore dhe madje edhe te gjendja ime ‘mendore’.
Po, është e vërtetë, që jam dobësuar lidhur me peshën trupore, por kjo vjen për arsyen se çdo ditë bëj me intervale 4 orë stërvitje. Por, jam shumë më i shëndetshëm dhe i fortë se më parë.
Meqënëse nuk të kanë lejuar derimë tani për të bërë një intervistë, kërkoju leje të paktën që të bëjmë një ndeshje ping-pongu dhe po fitove një set do të jesh me shumë fat”, tha Meta, duke shtuar me humor se kostumet e tij janë të vjetra dhe se pas gati 2 vitesh në “riedukim”, stilisti i mirënjohur Altin Mici, të cilin e quan “duarartë”, nuk ia di përmasat e reja.
Por më shumë se te dukja, Meta konsideron më të rëndësishëm faktin që gjatë seancës gjyqësore është mbajtur në një kafaz prej xhami.
“Por të lutem, përqëndrohuni te thelbi i çështjes, pra ai i vendimit për t’u gjykuar në ‘kafaz’ duke u bazuar në precedentin e një terroristi maroken që ka vrarë dhjetra francezë para një dekade. Pra përjashtimin ekstrem të ndodhur në Francë, GJKKO e kthen në standard ‘europian’ të gjykimit.
Pra proceset kundër Nicolas Sarkozy, Alain Jupee, Bernard Tapie dhe 99.99% e qytetarëve francezë, kanë qenë ‘anormale’ për GJKKO-në tonë ‘speciale’. Këta harrojnë se gjykata jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të paraqitet edhe në formë (jo vetëm përmbajtje) si e tillë. Pra këta as nuk shtiren që të hiqen si të paanshëm.”, tha ish-presidenti i Republikës në intervistën e dhënën në kushtet e paraburgimit.
Më tej, ai komenton edhe vendimin e gjykatës për të mos lejuar transmetimin live të të gjitha seancave, duke e konsideruar këtë si një vendim absurd. Sipas tij kjo është çështje e interesit publik dhe çdo qytetar që ka interes apo dëshirë duhet ta ndjekë të plotë. Në akuzat ndaj tij, Meta pretendon se nuk ka asnjë lloj sekreti shtetëror.

