Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin ku u prezantua raporti i GRECO-s për parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore, ku nuk la pa përmendur veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë.
Teksa nuk i kurseu sërish kritikat për SPAK e GJKKO, Rama tha se sistemi i drejtësisë është ende “në epokën e gurit” kur bëhet fjalë për marrjen në pyetje të personave të caktuar.
“Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit. Zhvillojmë intervista në prokurori dhe në polici në fakt, pa audio e pa video, intervista në prokurori që nga ato të zakonshmet deri tek specialet, bëhen si në kohën e gurit. Unë të shoh, ti më sheh, unë të pyes e unë shkruaj çfarë të dua. Kjo është vënë në pah nga institucionet ndërkombëtare dhe është një nga gjërat që duhet korrigjuar me urgjencë. Patjetër duke vazhduar ta mbështesim fuqimisht SPAK-un e GJKKO dhe gjithë institucionet e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi.
Uroj që këshilli i lartë gjyqësor të mos e vonojë sistemin digjital, më dhe ta çojë përpara. Të gjitha këto do të jenë jashtëzakonisht efektive në krijimin e një sistemi shtetëror të mirëndërthurur ku paralelisht me luftën kundër korrupsionit garantohet edhe liria, të drejtat e njeriut dhe e drejta e publikut për të pasur transparencë të plotë në institucionet e shtetit”- tha Rama.
Kjo është e disata herë që kreu i qeverisë kritikon SPAK-un për mënyrën e zhvillimit të procesit të marrjes në pyetje. Më herët ai pati rezerva sa i takon procesit hetimor ndaj Veliajt dhe pyetjes së dëshmitarëve për dosjen në ngarkim të tij. Versus.al







