
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e mbajtur për gazetarët paralajmëroi padi ndaj kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi duke e akuzuar këtë të fundit se me veprimet dhe mosveprimet e tij, autorizoi shkeljet e bëra nga patronazhistët gjatë procesit zgjedhor.
Berisha tha se kanë në duar një laptop i cili sipas tij është përdorur nga patronazhistët për të kryer krime zgjedhore. Kryedemokrati pretendon se në laptop janë zbardhur komunikime ku jepen direktiva të caktuara që përbëjnë shkelje ligjore.
“Padi ndaj Celibashit, ai që e ka autorizuar këtë. Përgjegjësinë ligjore e ka ai që ka autorizuar këtë. Kërkesa jonë ka qenë e prerë që nuk mund të ketë nënkontraktorë. Dhe është e shkruar në kontratë që nuk mund të ketë nënkontraktorë. Dhe në fund, ne kemi dokumente, ua paraqesim këtu të komunikimit të drejtuesve të PS me nënkontraktorët.
Po, po, jemi plot dokumente ne. Laptopi flet shumë. Po, po, shkoni në filan vend, merrni në filan vend, fola me spedicierin, i kemi të gjitha, do dalin këto, do shihni çfarë procesi ka qenë. Dhe ata që përpiqen t’u imponojnë shqiptarëve një proces të tillë, unë mendoj se gabojnë rëndë.
Kjo nuk imponohet më. Jo çdo gjë mund të them unë. Po i sinqertë me ju, ato që do paraqiten para jush, do jenë edhe nga laptopët e tyre. Faji i tyre, jo i joni. Kanë zhvilluar veprimtari kriminale me laptop. Laptopi është mjet krimi për ta”- deklaroi kryedemokrati. Versus.al







