
Pavarësisht se nuk arriti të siguronte një mandat në Kuvend për shkak të rezultatit të dobët të PD në Tiranë, kandidati Ilir Alimehmeti doli i dyti më i votuari mes demokratëve, pas Jorida Tabakut e cila do të jetë pjesë e Kuvendit.
Pas mbylljes së numërimit të votave të diasporës, Alimehmeti falenderoi të gjithë votuesit duke e cilësuar këtë garë elektorale si thirrje për ndërgjegjie dhe bashkim rreth vlerave të përbashkëta.
Por përveç falenderimit, Alimehmeti ka edhe një mesazh për politikën, duke thënë se çdo votë e dhënë për të tregon se qytetarët duan një mënyrë të re të të bërit politikë.
“Çdo votë që hodhët nuk ishte vetëm për një emër, por për një mënyrë të re të të bërit politikë”- shkruan Alimehmeti duke shtuar se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë, miq e bashkëluftëtarë të ndershmërisë, 18.125 herë ju i thatë “po” shpresës, ndryshimit dhe të vërtetës. 18.125 zemra besuan se politika mund të jetë ndryshe – më njerëzore, më e drejtë, më pranë qytetarit. Për këtë, ju jam thellësisht mirënjohës.
Kjo fushatë nuk ishte thjesht një sfidë elektorale – ishte një thirrje për ndërgjegje, për bashkim rreth vlerave që na bëjnë njerëz: ndershmëria, puna, dinjiteti.
Çdo votë që hodhët nuk ishte vetëm për një emër, por për një mënyrë të re të të bërit politikë.
Ju faleminderit që qëndruat krah meje, që më dhatë forcë me fjalët, buzëqeshjet dhe besimin tuaj. Faleminderit që më lejuat të jem zëri juaj.
Rezultati nuk është fundi – është fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndershëm, që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, pa u ndalur.
Me gjithë shpirtin,Ilir Alimehmeti. Versus.al







