
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot komunikimin e përjavshëm me ndjekësit e tij në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet politike në vend. Duke iu referuar togfjalëshit të përdorur shpesh nga Berisha “kilometri i fundit”, një prej komentuesve e pyeti kryedemokratin: “A mund të na thoni se sa metra ka kilometri i fundit, se nuk paska të sosur?”.
Lideri i PD iu përgjigj duke renditur disa prej betejave të cilave sipas tij janë fituar nga PD duke nisur që nga provimi se zgjedhjet sipas tij kanë qenë “farsë” e deri tek rezolutat ndërkombëtare ku kritikohej qeveria.
“Ky është kilometri i fundit. I lamë të gjitha mbrapa. Kaluam një kalvar sa asnjë forcë tjetër politike, por fituam. Tani ne duhet të fitojmë përfundimisht betejën për votën e lirë. Kështu që, kërkoj mirëkuptim. Nuk është kilometër i lehtë ky, jo, e kam thënë dhe e them, por është vendimtar. Dhe ne që bëmë të gjithë ato kilometrat e tjera, ne këtë do ta bëjmë dhe do fitojmë”- tha Berisha ndër të tjera. Versus.al

