POLITIKË /

Komisioni Antikorrupsion, kryeprokurori Çela: Proces delikat! Kuvendi të na kishte thënë nëse duhej raportim më i qartë

Kritikat e Çelës ndaj krijimit të një komisioni të tillë, ishin të qarta në tryezën ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato.

Shkruar nga Versus

Komisioni Antikorrupsion, kryeprokurori Çela: Proces delikat! Kuvendi

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka qenë i pranishëm në tryezën e organizuar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali me krerët e institucioneve të pavarura, ku është diskutuar edhe për komisionin e posaçëm antikorrupsion të ngritur pak kohë më parë për monitorimin e institucioneve të drejtësisë.

Çela nuk fshehu pakënaqësitë lidhur me këtë komision, duke deklaruar më tej se duhej që Kuvendi ose Komisioni i Ligjeve të kishin dalë me kërkesa që të përmirësonin raportimet e institucioneve të drejtësisë.

“Ka kohë që diskutohet lidhur me forcimin e institucionit të monitorimit nga ana e Kuvendit për institucionet e drejtësisë. Ka një kornizë të qartë ligjore sesi institucionet e pavarura ndërtojnë raportet me parlamentin. Zonja Bushka në parashtrimin e saj dha konsiderata të sakta për këtë marrëdhënie të frytshme që i ka shërbyer procesit të monitorimit.

Problemet që lidhen me monitorimin nga ana e Kuvendit, që lidhen me llogaridhënien dhe mënyrën si i shërbejmë interesit publik, do duhet që këto të kishin ardhur nga procesi që ne zhvillojmë me komisionin e ligjeve apo komunikimet që kemi me Kuvendin. Sepse kështu do ishte evidentuar se çfarë nuk shkon në raportimin e bërë nga ana e institucioneve. Sot do ishim duke diskutuar për çështje konkrete sesi ne do arrinim të merrnim masa përmirësuese në procesin e raportimit”- tha Çela.

Më tej ai shtoi se kemi të bëjmë me një proces shumë delikat dhe se hapat që duhet të ndërmerren më tej, duhet të jenë sa më të kujdesshëm.

"Kemi të bëjmë me proces delikat sepse flitet për pavarësinë e institucioneve me kornizë ligjore të miratuar pak vite më parë dhe është ende duke u testuar. Në këtë kuadër, do donim që hapat që do ndërmerren në vijim të jenë mjaft të kujdesshëm. Kuvendi bën ligjet, sheh nevojën për ndryshimin e tyre dhe ne jemi kontribues në këtë proces”- shtoi kryeprokurori Çela.

Deri më tani, opozita e ka bojkotuar komisionin e drejtuar nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, me arsyetimin se synohet monitorimi dhe vënia nën kontroll e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë për të mos i lejuar ato të veprojnë ndaj zyrtarëve të lartë të korruptuar. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: