
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi doli në një konferencë për mediat ku u pyet edhe për lajmin e kontratës së lobimit 6 milionë dollarë të PD në SHBA.
Ai shpjegoi se koalicioni i PD e ka detyrim ligjor dorëzimin e raporteve financiare dhe të shpenzimeve të fushatës, por afati përfundon 60 ditë pas shpalles së rezultatit të zgjedhjeve dhe vetëm atëherë vijon verifikimi i shifrave apo nëse dokumentet janë dorëzuar.
“Partitë politike kanë detyrim që të depozitojnë në KQZ të ardhurat dhe shpenzimet jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës. Kurse koalicionet jo më vonë se 60 dit nga shpallja e rezultatit zgjedhor. Kjo përfshin edhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore, përfundon jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit. Nuk ka detyrim në këto momente që t’i dorëzojë të ardhurat dhe shpenzimet si subjekt zgjedhor dhe që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk ka as detyrim, sikurse thuhet se 'pse nuk është kërkuar kjo kontratë nga ne'. Por në momentin që do e kemi, do japim shpjegimin tonë për këtë kontratë”, tha Celibashi mes të tjerash.
Kryekomisioneri refuzoi të komentonte rastin konkret duke thënë se nuk është objekt shqyrtimi.
“Më vjen keq por nuk të komentoj rastin konkret për sa kohë ai rast nuk është bërë objekt shqyrtimi nga KQZ. Kur ta kemi këtë objekt shqyrtimi, do e bëjmë të ditur për ju”, sqaroi kreu i KQZ.
Mes të tjerash, në konferencë Celibashi dha edhe detaje mbi ecurinë e procesit të dorëzimit dhe votimit të emigrantëve për 11 majin, duke u shprehur se nuk ka problematika të pazgjidhshme dhe se çdo gjë po shkonte sipas parashikimeve.
Kreu i KQZ tha se deri më tani 70 mijë emigrantë kanë kthyer fletët me votat e tyre nga 245 mijë persona të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
“Janë mbi 70 mijë votues që e kanë kthyer fletën e votimit nga mbi 245 mijë të regjistruar. Presim ardhjen e fletëve të tjera të votimit. Presim që kompania postare të shpërndajë të gjitha fletët e votimit, zarfet. Kanë mbetur edhe 30 mijë fletë votimi e pak për t’u shpërndarë, ka gati edhe 2 javë kohë dhe presim që të shpërndahen”, tha Celibashi.
I pyetur për gjuhën e liderëve të partive politike në fushatë, Celibashi tha me humor se asgjë që thotë ai nuk ndikon pasi ata nuk e dëgjojnë. Versus.al








