Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar zyrtarisht pranimin e ftesës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një nismë ndërkombëtare që synon ndërtimin dhe promovimin e paqes globale.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Rama përmes një postimi, ku thekson se sot i ka përcjellë Presidentit Trump përgjigjen pozitive ndaj ftesës së tij. Kryeministri njofton gjithashtu se ky angazhim do t’i përcillet së shpejti edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
Në letrën drejtuar Presidentit të SHBA-së, Rama shpreh mirënjohjen për udhëheqjen dhe vizionin në themelimin e Bordit të Paqes, duke e cilësuar këtë nismë si një instrument të domosdoshëm për ndërhyrje konkrete dhe të menjëhershme në ndërtimin e paqes, në një kohë kur konfliktet dhe krizat humanitare vijojnë të marrin jetë të pafajshme në mbarë botën.
Kryeministri thekson se Shqipëria është ftuar të shërbejë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe rikonfirmon marrëdhëniet e forta strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të bazuara në vlera të përbashkëta si liria, demokracia dhe siguria ndërkombëtare.
Sipas Ramës, angazhimi në këtë bord synon përkthimin e vizionit në veprim konkret, përfshirë edhe përpjekjet për ndërtimin e paqes në zona konflikti si Gaza, në kuadër të një përgjegjësie globale për stabilitet dhe siguri afatgjatë.
Në përfundim, kryeministri shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar personalisht dhe institucionalisht në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, duke e cilësuar këtë angazhim si një nder dhe përgjegjësi të veçantë për Shqipërinë.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.
Së shpejti ky angazhim do t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
#KrenarpërShqipërinë
***
Bashkëlidhur përkthimi:
Republika e Shqipërisë
Kryeministri
Tiranë, 19 janar 2026
Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Washington, DC
I nderuar Zoti President,
Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.
Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.
Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.
Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.
Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.
Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.
Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.
Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.
Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
Edi Rama/Versus.al

