
Seanca plenare e së enjtes në Kuvend u përfshi nga tensione dhe përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës, duke kulmuar me përjashtimin e deputetit demokrat Luçiano Boçi.
Debatet u ndezën gjatë interpelancave, kur Boçi mori fjalën dhe refuzoi të largohej nga foltorja për disa minuta, pavarësisht paralajmërimeve nga drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, si dhe ndërhyrjes së Gardës. Pas incidentit, ai u përjashtua nga seanca.
Në shenjë proteste, opozita vendosi të braktisë sallën gjatë votimit të projektligjeve. Në mungesë të saj, mazhoranca miratoi me 76 vota pro dhe asnjë kundër projektligjin për krijimin e Agjencisë së Arsimit.
Më herët, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke theksuar se nisma ka marrë miratimin e Komisioni Evropian. Sipas saj, ky ligj përmbush detyrimet për Kapitullin 26 të negociatave me Bashkimin Evropian, të lidhur me arsimin, duke e cilësuar si kapitullin e parë të mbyllur në këtë proces.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi gjithashtu me 77 vota pro ndryshimet në ligjin për Gardën e Republikës. Me këto ndryshime, rikthehet formula e mëparshme e emërimit të drejtuesve të Gardës, duke parashikuar emërimin e drejtpërdrejtë nga Kryeministri, me propozim të ministrit të Brendshëm, dhe duke hequr dorë nga procedura e konkurrimit./Versus.al

