POLITIKË /

'Lëvizja Bashkë' pyet Lapajn: A ke qenë ndërmjetës në marrëveshjen për kompleksin turistik në Sarandë?

Në një postim në rrjetet sociale, Zoto ka kërkuar sqarime nga Lapaj për një marrëveshje të lidhur me ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Krorëzës.

Shkruar nga Versus
'Lëvizja Bashkë' pyet Lapajn: A ke qenë
Adriatik Lapaj

Kristjan Zoto, anëtar i partisë “Lëvizja Bashkë”, ka pyetur publikisht Adriatik Lapajt, drejtuesin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Në një postim në rrjetet sociale, Zoto ka kërkuar sqarime nga Lapaj për një marrëveshje të lidhur me ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Krorëzës.

Zoto ka publikuar edhe një dokument, sipas të cilit Adriatik Lapaj dhe Oliana Andoni janë përmendur si përfaqësues të kompanisë “TDT & PARTNERS”. Në dokumentin e nxjerrë nga Zoto, thuhet se këta dy figura kanë luajtur një rol ndërmjetësues në procesin e marrëveshjes për projektin turistik.

'Lëvizja Bashkë' pyet Lapajn: A ke qenë

"Adriatik Lapaj, a është i vërtetë ky dokument ku figuron firma juaj si ndërmjetësues për marrëveshjen e ndërtimit të një kompleksi turistik në Gjirin e Krorëzës? TDT & PARTNERS është një kompani e përfshirë në projekte të mëdha ndërtimi në disa nga zonat më të bukura dhe të paprekura të bregdetit shqiptar, përfshirë Gjirin e Krorezës dhe Kalanë e Lëkursit. Kjo kompani lidhet drejtpërdrejt me Dajlan Avdian (ish-pronarin e "APEX"), një nga ndërtuesit më të fuqishëm në vend, i cili ka përfituar qindra milionë euro nga statusi i "investitorit strategjik" për projekte luksoze në bregdetin e jugut. Përveç kësaj, ai është pas ndërtimit të tre kullave në Tiranë, përfshirë kullën pranë Sahatit, si dhe dy të tjera në zonën e Bllokut dhe pas Presidencës. A mund të sqaroni publikisht rolin tuaj në këtë marrëveshje?,"-shkruan Zoto në postimin e tij. 

Deri më tani, Adriatik Lapaj nuk është shprehur publikisht për këto akuza.

Projekti i madh turistik në Gjirin e Krorëzës, që mbulon një sipërfaqe prej rreth 680 mijë metrash katrorë, po realizohet nga kompania TDT & Partners, e cila zotërohet nga vëllezërit Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Ky resort luksoz është projektuar nga studioni spanjoll Bofill, i njohur për dizajnet e tij moderne dhe inovative, ndërsa një pjesë e punimeve ka qenë e mbështetur edhe nga studioni shqiptar Dalmat Architecture./Versus.al

 

Poll